Edi Reja është treguar i hapur me median, madje ka lëshur edhe një batutë që u kishte shpëtuar trajnerëve të tjerë të huaj, tamam në momentin kur bëhet kokteji prezantues me gazetarët. Ish-trajneri i Lacios, Edi Reja , paska thumbuar:
“ Më patën thënë se Shqipëria është vend i varfër dhe me mundësi të kufizuara financiare, por duke parë gostinë, nuk qënka dhe aq ..keq”. Kjo situatë e gjeti të papërgatitur presidentin e FSHF-së, që sajoi një të qeshur jashtë “protokollit”, duke thënë këto fjalë: “ Jo, jo, Shqipëria nuk është kaq e varfër sa ju kanë thënë…”
Nuk dihet se kush e ka gënjyer Edi Rejën se ne qënkemi të varfër, kur dihet nga të gjithë se tokës së futbollit nuk i shteron kurrë “nafta”. Ka vite, po rrokullisen dy dekada, që muzikës së shifrave financiare i shkon përshtat proverbi grotesk :
Sa të jetë Lala Gjoni, hani, pini dhe këndoni ! Sigurisht, nuk mund të jetë Igli Tare që ka keqinformuar Edin, sepse “drejtori ” e di fare mirë se ne mund të jemi të varfër në lojë, por kur flitet për para..kërcet betoni nga stadiumiumet tek mega- zyrat ! Madje, ata të Lacios, më mirë se çdo klub tjetër , nuk do ta kenë harruar faktin pikant se kur Kombëtares iu desh një shqiponjë për të ndjellur “shqiponjat kuqezi”, që u kishin rënë krahët, ua kemi “blerë” shqiponjën pikërisht atyre edhe pse vetmburremi si ..atdheu i shqiponjave. Që Reja ta kuptojë më mirë se varfëria mund të jetë kudo, madje edhe në Italinë nga erdhi, por aspak në Kombëtaren tone , urojmë që një ditë të vërë këmbë tek zyrat e reja që po bëhen.. për të kuptuar se të “varfërit tanë janë shumë të pasur”!
Sfidanti.al