Nuk është një shaka, por një lajm i hidhur kur futbolli i vërtetë ka kosta ekonomike, ndersa futbolli i pavërtetë qënka më fitimprurës. Ajo që ka ndodhur në ndeshjet e kësaj jave, po shndërrohet në një ligjësi të frikshme. Në ndeshjen Kukësi-Partizani, një betejë nderi, e ndezur dhe tejkaluar nga frika e humbjes, janë shkulur stolat e stadiumit “Zeqir Ymeri”, mu tek zona ku ishin tifozët e Partizanit. Kurse në ndeshjen tjetër, Vllaznia-Skënderbeu, edhe pse dihej se futbolli do të ishte prostitucion 90 minutësh, nuk u thye asnjë stol, nuk u hyri asnjë gjëmb atyre që e kurdisën farsën e radhës. Pikërisht në Shkodër, pikërisht në stadiumin që u pagëzua shtëpia e dytë për shkodranët, dukej si e sajuar enkas, për t’a vrarë lojën në qytetin e lindjes së saj. Këtë herë kemi gostitur me një copë tortë të prishur edhe vëzhguesin maltez të kësaj ndeshjeje, si për të treguar shkoqur se bashkëpunimi me Federatën e Maltës do ta shpejtojë funeralin për të cilin jemi nisur..
Kukësi dhe Partizani thyen kokat dhe stolat për të ndarë nga 1 pikë, dhe më e bukura, trajnerëve u dukej si fitore, kur mendonin humbjen. Vllaznia dhe Skënderbeu merituan “Oskarin” e tradhëtisë, flirtuan në mënyrë të shpifur për 90 minuta dhe nuk thyen as kokat, e as stolat. Dikur në Shkodër thonin se floriri i lojës nuk gjëndet në fushë, por në shkallët e stadiumit, tek tifozët. Tani është ndryshe dhe askush nuk skuqet. Ndaj stadiumin që kushtoi sa qimet e kokës e shndërruam në një bibliotekë të madhe, me një heshtje varri, ku edhe siluetat e pikturuara me ngjyra ngjyra në shkallët e “Loro Boriçit”, nuk e maskonin dot arratisjen kolektive në shtëpi të tifozerisë. Në Shkodër, tani, dëgjohet më shpesh, fraza se “ Sa më i madh të jetë stadium, aq më e vogël bëhet loja e ndershme”
Sfidanti.al