Ndryshojnë rolet në “Derbi”: Tirana do titullin, Partizani .. “pronën”

E paskan pyetur trajnerin Egbo se çfarë do të ndodhë në ndeshjen Derbi me Partizanin dhe ai i ka dhënë një shpjegim “teologjik” ndeshjes : “ Me ndihmën e Zotit do ta fitojmë edhe këtë herë betejën”. Ndërsa kur e kanë pyetur trajnerin Sormani nëse do të mundet ta kthejë në shinat “historike” Derbin,  kur “demat” fitonin dhe toreadori bardheblu vritej në mënyrë konstante, tekniku Italian ka thënë: “ Nuk kam frikë nga Tirana e as presion për këtë ndeshje”. Në pamje të parë, nëse do të besonim tek fjalët e tyre, Egbo duket më natyral se Sormani pasi shpesh ka zbuluar se atij nuk i mjaftojnë vetëm futbollistët në fushë, por kërkon edhe mbështetjen e Zotit. Aq shpesh e thërret në ndihmë fuqiplotin, sa ka nga ata që thonë me ironi: “ I dashur Egbo,  Zoti është  për të gjithë dhe jo vetëm për Tiranën…”

Nëse Egbo shfaqet shumë qiellor edhe pranë derbit, a mund të besohet tokësori Sormani kur thotë se ..”Nuk kam presion për ndeshjen kundër Tiranës”!  Sikur mos t’i kishte thënë këto fjalë, Sormani do të kishte fituar “ndeshjen” e deklaratave .  Do apo s’do Sormani, kjo është ndeshja e jetës për Partizanin , dhe kjo në kuptimin moral, ngaqë Tirana i ka dhënë fund diktaturës në Derbi, por  shkon edhe më tej… kërkon të përmbysë edhe letargjinë historike lidhur me titullin kampion. Ndaj, nëse fiton Tirana këtë ndeshje, për të cilën thuhet se nga biletat e shitura ka ndjellur pasionin e 20 mijë vetëve, triumfi do të ketë efekt drogues për vazhdimin. Nëse ndodh e kundërta, fiton Partizani, ( ishalla nuk e dëgjojmë prapë presidentin Halili të flasë për ndërrimet e gabuara të Egbos), për disa do të kuptohet si rikthim i pushtetit të “vjetër” në Derbi, për disa të tjerë do të shërbejë si një rast i volitshëm për të lëshuar në orbitë frazën lajkatuese .. se ky kampionat po bëhet nga më të bukurit në vitet e fundit!

Sfidanti.al