Sa herë që marrim kalemin në dorë dhe zhytemi me kokë tek llogaritë kuqezi për ta katapultuar Kombëtaren në krye te grupit, “çunat”na i përdhjesin llogaritë ose me gjuhën e futbollit..na ikin prej shalësh! Mbetet në fuqi përralla e vjetër që tregon “nastradini me top” : do t’i fitojmë dy ndeshjet e mbetura! Edhe atë me Izraelin në tokën e shenjtë, edhe me Islandën në tokën e parehatuar të fushes së “Air Albanias”. Dhe më e bukura është se kalemi na bëhet si shpatë para ndeshjeve, ngaqë “mjekët” e futbollit na kanë vaksinuar për të parë pikë dhe jo lojën që është thelbi…
Edhe Edi Reja paska vënë bast këtë herë, jo për “kalin e gabuar”, por për fituesin, kur deklaron me gjuhë bastesh : “ Do të fitojmë në Izrael edhe pse kemi mungesa..” Dhe nëse fitojmë prapë, si atëhere kur një herë na i hipën me 3 gola në Tiranë dhe pastaj ia hipëm ne me 3 gola në Izrael, do të jetë “tokë e shenjtë” edhe për ne! Me futbollin që luajnë ekipet, mund të bëhet nje konvertim historik: ne i kemi ndihmuar gjatë luftës dytë boterore, ata po na ndihmojnë gjatë paqes..
Tani me sy mbyllur e dimë leksionin: se loja e prapaskenës në futboll , shpesh është më e bukur se ajo e skenës. Reja që duket më i madhi nga trajnerët në moshë, sikur rinohet kur flet gjithnjë për mungesa! Madje muzika e mungesave po shndërrohet në një traditë popullore kuqezi, sepse me aq futbollistë sa ka thirrur Reja në Kombëtare deri tani, një gjë është e sigurt: do të ketë firo dhe ..zbulime çdo ndeshje !
Na duhen vetëm 6 pikë në dy ndeshje! Mjaftokan edhe 4 pikë nëse mundin me dy gola diferencë Izraelin dhe barazokemi me Islandën. Dhe sa herë që luan Kombëtarja në muajin shtator, ne ulemi në bankat e “shkollës kuqezi” , na japin një kalem dhe na mësojnë të luajmë me matematikën e futbollit, sepse atë të fushës e tundin dhe e shkundin si t’ia dojë mideja…
Sfidanti.al