Mos e vrisni dy herë Shkodrën! Në herë me top dhe një herë me..thikë!

Futbolli humbi nderin kur Vllaznia , ekipi i qytetit ku lindi futbolli, puthi për herë të fundit tokën e skuadrave të mëdha, për t’iu bashkuar një kampionati të panjohur për të, Kategorisë së Parë. Por paska edhe më keq se kaq. Shkodra humbet arsyen, ndofta humbet kurorën e merituar ndër vite, atë të shpirtit kavaleresk, kur dëgjon që një tjetër trajner, Rudi Piraniqi,  është kërcënuar me jetë në emër të padrejtësive që ndodhin në futbollin e fëmijëve. Çfarë skeme: per turp futbolli i burrave, për frikë jete ..futbolli  fëmijeve! Duket e pabesueshme, por ai që shfaqet me petkun e agresorit, nuk është më shumë se një prind fëmije.  Një prind , që nëse ka patur fatin të emancipohet nga loja me top në qytetin-djep , kur do të ketë qënë i ri, me siguri ka duatrokitur kundërshtarin sapo ka fituar me meritë ndaj tyre. Apo ndofta ka hequr kapelën më shumë për futbollistët e talentuar se sa për ata që ushtronin force mbi topin, madje edhe mbi kundershtarin.

Duket si një mallkim në qytetin e gabuar, kjo që po ndodh kohët e fundit në Shkodër. Rasti i dytë, pas atij me trajnerin Nesti Gjoka, por zemra shpon më shumë kur dëgjon dhe përjeton ditën e hokubetit, kur në emër të futbollit “modern”, besohet se mjafton thika apo forca për të zbritur në fushë,  duke u privuar nga moda  talenti i Biza-ve shkodranë. Mjerë ai që e beson këtë blasfemi  mjerane, megjithëse koha punon më shumë për të pavërtetën sesa për të vërtetën. Doni një fakt spektakolar?  Shkodra humbi ekipin që kish lidhur perjetë zemrën, dhe gënjeshtra që dëgjon përditë ka vetëm një të vërtetë: vlen afro 1, 2 miliardë lekë, aq sa u babëzitën gjatë sezonit, nga të gjithë llojet e lojtareve, ata të fushës e të Bashkisë…

Sfidanti.al