Italiani i madh, Arrigo Saki, ka thënë se futbolli është gjëja më e rëndësishme midis gjërave të parëndësishme. Si do të përkthehej në” shqipen e futbollit ”kjo shprehje e madhe? Apo më troç, po të kishim edhe ne një Saki, çfarë do të thoshte për rëndësinë e trajnerit në lojën tonë të pasur nga pabesitë. Fraza do të ishte e hidhur, por tejet e vërtetë : “ Trajnerët janë gjëja më me pak rëndësi, në një futboll të parëndësishëm, ku rëndësia e vetme mbeten presidentët ”. Dhe ajo që ka ndodhur në Elbasan, mu në zemër të stadiumit “Arena”, përgjatë ndeshjes Kukësi- Teuta, duket si zbulimi i “Gralit të shenjtë”, sekretit të madh, për cilin mbajmë gjallë lojën. Në një stadium të zbrazuar frikshëm nga tifozët,por edhe në një javë të zbrazur nga 3 trajnerët e shkarkuar, kishte një tribunë të mbushur me presidentë, si për të thënë se stadiumi nuk është krejt i vdekur, por ka jetë. Dhe loja është ndërtuar në një mënyrë të tillë, sa duket sikur ka vjedhur rregullin e Big Brother, ku çdo javë të varfërit eleminohen dhe mbeten vetëm të pasurit në stadium…
Ky është momenti fatlum për të thirrur pa mëdyshje “ Rrofshin presidentët, poshtë trajnerët”! Kjo javë mund të pagëzohet si “vdekja klinike” për gjithë trajnerët , si java e “orgamzës” për presidentët, kur tre “heronj të heshtur” flaken nga stoli.. për të pasuruar listën e viktimave. Heronj pa pendesë, nga ata që të kujtojnë skllevërit e piramidave të famshme të Egjyptit, që u kishin prerë gjuhën për të ruajtur sekretin. Më shumë se një rekord fatal, largimi i 3 trajnerëve brënda 90 minutave, është një funeral i bujshëm për Shoqatën e trajnerëve,atë që jeton më gjatë , kur trajnerët kanë “vdekur”. Po cilët ishin viktimat e paracaktuara? Lerda, njeriu i stolit të Partizanit, ai që befasoi edhe trajnerët më të nënështruar të racës sonë me shprehjen e artë se “ nuk do të hedh asnjë hap, pa pyetur drejtorin Olsi Rama”, ka ikur duke marrë me vete barrën e një antipatie kampione, që nuk e kishin provuar italianët e tjerë. Kurse për largimin e Bledi Shkëmbit, që u përcoll me një breshëri golash nga Kukësi, përveç futbollistëve të tij, dhanë një dorë dhe arbitrat, të cilët pikën e bardhë të penalltisë e shndërruan në pikën e ..ferrit. I fundit, trajneri grek i Luftëtarit, ai që duket sikur na e kishte borxh shkarkimin, paska lënë një pusullë para ikjes: “ E dini cili është momenti më i bukur në lojën tuaj? Kur shkarkoni trajnerin…”
Gëzim Sinemati
Botuar ne Panorama Sport