Mirë që nuk e duan Tiranën në FSHF, po pse e urrejnë për “vdekje”

Është pabesi e madhe, madje mund të pagëzohet si një spektakël keqdashësie ajo që ndodh me Tiranën në fushë, sidomos këto vitet e fundit. Ajo shprehja e famshme komike “Prapë unë, usta” do t’i shkonte shumë për shtat filmit serial të Superligës. Tamam, në orën e duhur, kur trumbetohet pa frikë se Tirana mund të jetë “shtriga” në javët në vazhdim të kampionatit. Dhe kjo, me qëllimin “madhor” për të gjetur viktimën e dytë pas Kamzës, në një garë ku gropat nuk i bën varrmihësi, por vetë Intitucioni . Po pse pikërisht Tirana? Nga lind kjo blasfemi sportive? Si mund të guxosh të paracaktosh fatin e zi për një ekip që ka zbardhur faqen e historisë. Si dy e dy që bëjnë katër, kuptohet shkoqur se.. ata që drejtojnë nuk kanë lidhjen me historinë shpirtërore të futbollit, madje dalin hapur se dhunën e kanë ilaçin e tyre për të shkruar një histori tjetër, qoftë e zezë për ne, tejet e “bardhë” për grykësinë e tyre..
Pyetja të shpon: Po pse pikërisht Tirana? Si ka mundësi kjo flamë zyrtare, e cila fillon nga eprorët dhe ndizet keqazi tek arbitrat në fushë. Të vjen keq për pafuqinë e spikatur të shumë emrave të nderuar , kur mendon se në FSHF militojnë më shumë zyrtarë që kanë lindur nga klubi Tirana dhe efekti, prapëseprapë, qënka i kundërt. Po njeriu me i afërt i Dukës, numri 2 në FSHF , a nuk është Lut Nuri, besimtari i madh i bardhebluve. Po trajnerët e emergjencës së Kombëtares, Bulku dhe Sul Mema , a nuk janë pjellë e klubit Tirana, klubi që gjithë jetën ka qënë vetë historia, kurse sot qënka ..gjuetia! Thonë se “Helena e Trojës”, pra sebepi i luftës së paepur kundër bardhebluve, fshihet në një stadium ne mes të qytetit, të cilin kur e shikon pa kullë.. të duket si një objekt jashtë kohe.

Sfidanti.al