Metamorfoza e Dinamos! Nga derbi i lavdisë, tek “derbi i mbijetesës”!

Thonë se i mbytyri të mbyt, po hajde gjeje se cili do ta pësojë në sfidën e sotme Dinamo-Egnatia. E shkreta Dinamo, për çfarë u nis këtë sezon dhe ku u bitis! Nuk do të harrohen kurrë fjalët nastradineske të ish-trajnerit Shkëmbi, gjoja Dinamo do të luftonte për titull këtë sezon. Pale me sa sarkazëm kujtohet kjo deklaratë, kur Dinamo do të çohet se vdekuri për një nga “finalet e mbijetesës”, tamam- tamam me Egnatian.

Një Dinamo e tradhëtuar nga të gjitha anët! Fillimisht nga brënda saj, për nga mënyra se si u ndërtua ekipi,dhe pastaj nga jashtë saj, nga skemat plot kurthe e paudhësi që kanë dominuar deri tani lojnat dhe hojnat e Superligës. Nje kampionat ku kompromiset e ekipeve , lart e poshtë, e kanë zhytur akoma më thellë. Aq sa një ish-trajner i këtij sezoni të mbrapsht, Bled Devolli, kujtonte se ekipi kishte qimen e derrit, ama në të vërtetë nuk ishte punë tersi, por një lëmsh më i ndërlikuar, një lojë më afër bixhozit , ku nuk mund të flitet për qimen e derrit, por për..derrin maç!

Dinama-Egnatia ! Një finale për të shpëtuar nga turpi Dinamon! Nga ana tjetër, një finale historike për Egantian debutuese, që me stadiumin e saj modest mbajti peshën e Superligës, ngaqë shumica e ekipeve i kanë stadiumet të papërdorshëm, janë akoma duke bërë “pedikyrin”.

Çfarë do të ndodhë kur Dinamo dhe Egnatia do të luftojnë për “bukën e gojës”, për çapin e fundit të mbijetesës? Mund të ndodhin shumë gjëra , por s’do të ketë dredhi morale sepse do të jetë ndeshje që do të lëshojë xixa…ngaqë nuk dalin llogaritë! Dhe kur nuk dalin llogaritë, është momenti më fatlum për të parë ndeshje të pakallur , njw lojë që nuk duhen bërë duart pis edhe nga vetë..shejtanët e topit!

Sfidanti.al