Metamorfoza e “demave”: vdiqën rebelimin, për të ngjallur lavdinë e harruar të titullit!

A mbani mend pozimin pompoz të Kombetares pas ndeshjes me Andorrën? Sigurisht, nuk mund të harrohet jo vetëm nga shtirja kolektive për t’u treguar të lumtur, por edhe për shkak të Partizanit. Cila është lidhja midis pozimit të Kombëtares dhe ekipit që po ngjitet drejt altarit ? Shikoni foton e Partizanit pas ndeshjes me Kukësin, për të kuptuar se festa e “demave” është e natyrshme, tejet sublime, sidomos kur flitet për titullin kampion. Kurse festa e “shqiponjave” pas Andorrës, fill pas flakjes pa takt , vetëm 3 ditë më parë të trajnerit Panuçi, ishte si një fotomontim falc, që të kujtonte lojën e fëmijërisë ..kush bën poza më të bukura. Një maskë më shumë.. në lojën tonë plot me maska!

Partizani ka shumë arsye për të pozuar si kampion i ardhshëm, ashtu siç ka Kukësi shumë arsye për t’u bërë xheloz për udhëtimin e tyre pa frena . Sapo është shfuqizuar me meritë batuta e presidentit Gjici për gjunjët e Partizanit në muajin mars, ka lindur një tjetër ngacmim pas ndeshjes. Dhe kur nuk shënojnë sulmuesit, kush tjetër veç Gjicit do ta bënte punën e tyre të munguar : “ Partizani i ka qejf penalltitë” . Një frazë e shkurtër në pamje, por që bëhet e gjatë kur kupton se “helmi” i saj nxit dyshime për penalltinë që “demat” drejtpeshuan ndeshjen.

Ishte apo nuk ishte penallti? Me këtë pyetje jemi lodhur nder vite kur shpallej kampion Skënderbeu, pastaj kur erdhi radha e Kukësit dhe tani , s’mund të dorëzohemi kur flitet për Partizanin. Apo kur përjetohet një Partizan tjetër, më i fortë në fushë se gjithë rivalët, por më pak rebel se Partizani i dikurshëm ndaj sistemit, madje duke ”e vdekur” ndjeshëm luftën ndaj të keqes së madhe. “Demat” e kuptuan të fundit se për të fituar titullin kampion nuk duhet të zbresësh “demonët e zinj” nga froni, sepse sipas predikimit të kishës sonë të futbollit..e keqja qëndron brenda shpirtit të klubeve.

G.Sinemati
Botuar ne gazeten Panorama Sport