Nëse zgjedhjet e sotme për në Komitetin Ekzekutiv të UEFA-s, do të trasmetoheshin tamam si një ndeshje futbolli e vërtetë, ku rezultati nuk është i trukuar, sa do të donim të dëgjonim shprehjen që e kemi konsumuar më shumë për të huajt: “ Mbani frymën miq, sot është ndeshja finale për presidentin Duka. Bëni gati shampanjën e triumfit, se UEFA është aq e zonja sa të mos ta humbasë një shans të tillë”. Prej vitesh na kanë mësuar se UEFA është e pabesë dhe vendimet e saj kanë qënë shpeshherë si shpata e Demokleut për shqiptarët, por pabesia ngjitet edhe më lart, kur flitet për zgjedhje. Sapo fillon futbolli i votës, ai që shikojmë në fushë, nuk është gjë tjetër, veç një karamele me skemat e tij të lexueshme. Një pyetje lind në këto momente, ndersa sot luhet “europiani i zyrtarëve” për një karrige : duam apo s’duam që presidenti ynë të katapultojë në UEFA? Duket i lezeçëm, por tejet naiv mendimi i disave, se nëse shefi kap majën e “Everestit” në Europë, atëherë do të jetë një arsye e madhe që të largohet nga froni i tejzgjatur në krye të lojës së lodhur në vendin e tij. Madje, të dehur edhe para se të hapet shampanja, si atëherë në Beograd, thuhet me zë që nuk e kapercen gardhin, se festa për largimin e tij, do të jetë edhe më e gëzueshme se festa për depërtimin në gjirin e UEFA-s.
5 prilli do të kujtohet edhe më shumë se 5 maji për disa “partizanë”, nëse kur të lexohen emrat , midis 8-shes së bekuar.. do të jetë edhe shqiptari. Ai që ka habitur shumë ekspertë europianë me guximin e tepruar, pasi futbolli që drejton prej 16 vitesh duket si një kartëvizitë false për hyrë në portën aq shumë të lakmuar nga ku drejtohet loja e madhe. Një portë pa shtylla, ku meraku më i madh është biznesi që del nga topi, sesa vetë shëndeti i tij. Ndaj edhe thuhet pa frikë, hapur fare, se në rast se presdienti Duka fiton një post, askush nuk ka meritë veç tij, madje do të jetë një fitore “historike”, krejt personale, që do t’u qepë gojën gjithë atyre që e përcollën në Rinas me skandale të freskëta, si ajo e ndeshjes Elbasani-Cërriku apo deklarata helmuese e ish-shefit të garave Hitaj se “ pazaret po lulëzojnë edhe në kampionatet e moshave” . Le të bëjmë gati shampanjën, UEFA, kur je nga brënda, është e sheqerosur, dhe nuk e shikon nga jashtë, si atëherë kur e quanim “lavire” ngaqë përdhoste shqiptarët. Sidomos, sot, na shfaqet si një parajsë , ku me të vërtetë e paguan shtrenjtë bileten e hyrjes, ,veç nëse ia del, lumturia financiare e kalon lumturinë shpirtërore..
Sfidanti.al