Magjia kuqezi : avullon stadiumin, por edhe ..plot 6 gola

A ka magji që mund të avullojë  6 gola ? Dikur ishte Koperfildi i famshem, që me një truk të tij  e shdukte trenin. Këtu tek ne, u shfaq iluzionisti Nadir, i cili do  të “shkulte”nga vendi  Kalanë e Gjirokastrës,  por u trembën ata të Bashkisë dhe nuk e lanë.  Ka edhe magji të tjera që të lënë me gojë hapur, kur  ndërtohen pafundësisht pallate dhe kulla dhe janë të gjitha të shitura..

Dhe në futbollin tonë ka  “magjira” me shumicë. Sa hap e mbyll sytë, brenda natës,  “tretet” stadiumi Air Albania.  Të duket sikur është tek vendi i tij i zakonshëm, në fakt pamja është e rrejshme sepse janë zhdukur  pa nam e pa nishan… 22 mijë bileta.

Sa herë që kthehet në “shtëpinë e futbollit” Kombëtarja, për të luajtur ndeshjet e radhës si këto me Çekinë dhe Ukrahinën, ndodh magjia e  biletave. Një lojë e moçme, plot me hilera,  ndodh mes  tifozëve  te gjorë dhe biletashitësve të FSHF-së. Sa më shumë qëndrojnë të ngrehur tifozët për të peshkuar bileta on-line, aq më shumë ndizet loja e kukafshehtit te biletave…

..Mirë biletat, por si mund të zhduken edhe golat ? Jo pak, po plot 6 gola. Kjo është magjia e  fundit e “magjistarit FSHF”që në njoftimin e saj nuk zbulon sa gola kemi thithur në portë, por thotë se ekipi kombëtar i 19 -vjeçarëve  të Shqipërisë, në ndeshjen me Izraelin, e humbi ndeshjen. Po cili ishte rezultati? Noc Rroku … Si  ngushëllin ofrojnë datat e ndeshjeve të ardhshme..

Sfidanti.al