Kanë ndodhur gjëra të rralla këtë sezon: Partizani është ngjitur në altarin e fronit pas 26 vitesh, kurse mekanizmi i padukshëm që tërheq fijet ndër zyra, ai që rëndom quhet sistemi, pas gati 18 vitesh ka “fituar” komplimentin se ka bërë kampionatin më të ndershëm, pasi e krahason me një serial pandershmërie pushteti. Nga na erdhi kjo mrekulli, kur të gjithë e dinin me sy mbyllur se, prej vitesh, Partizani ishte “demi”, kurse në rolin e toreadorit ishte sistemi, që edhe pse nuk humbiste rast pa e vrarë, prapëseprapë, duartrokitjet shkonin për viktimën. Tamam si në Spanjë, në ndeshjet me dema, kur toreadori bëhet gati ta vrasë, publiku e kundërshton duke votuar me gishtin lart.. jetën e demit për shkak të spektaklit që dha.
Partizani i atëhershëm, pa kurorën e kampionit, vlente më shumë se një ekip dominues me pikë, ishte një klub që titullin kampion e fitonte vetëm si rebel , aq sa mund të quhej dominues edhe nga nga loja morale. Por, në një sport që predikohet ndershmëria , ndërkohë që lulëzon djallëzia , pyetja duket cinike dhe e pashpirt : më mirë një fitues moral dhe humbës në fushë apo një kampion me kurorë, i cili konverton rebelimin me heshtjen.. si shpagim për ngjitjen në fron.
Partizani është kampion dhe për titullin e tij, edhe pse pas një durimi spartan prej 26 vitesh, janë gëzuar edhe përtej kufinjve të klubit. Trofeu i vonuar ka nxitur shpresë edhe tek tifozë “armiq”, madje nga ata që kishin alergji dhe frikë nga rilindja e pushtetit të kuq në kampionat. Kujt i përkasin këta tifozë? Ata janë një kategori që nuk shuhen kurrë, që shijojnë lojën e pa trazuar nga duart e mëkatit , të cilët besojnë akoma tek futbolli pa skedinë dhe nuk veshin asnjë uniformë klubi. Në këto momente, janë si në ëndërr, akoma nuk u besojnë dot syve që përcollën një kampionat disi ndryshe, ku arbitrat dolën vetë në pozicion jashtë loje nga eprorët e tyre , duke humbur “magjinë” e përvitshme, madje pushtetin për dhënien e titullit me një të fryrë të bilbilit..në emër të gabimit njerëzor.
Gezim Sinemati