Lutemi për “kokën” e Vllaznisë , ata… synokan titullin sezonin tjetër!

Ka xhevairë që dalin nga këmba, ka xhevairë që dalin nga..goja! Koiçidenca është e bekuar kur këmba dhe goja bashkohen në një futbollist, i cili  mban edhe emrin Xhevair. Fjala është për sulmuesin e talentuar shkodran, Xhevair Sukaj të cilit i foli këmba kur shënoi një gol kopertine, tejet ndikues, gati përtej mesit të fushës. Ndërsa këto ditë ka bërë “autogolin” pikant , me fjalë, pra jo me top.  Fjalët e tij, pas fitores me pak histori të vërtetë ndaj Laçit, zbulojnë se realiteti më i prekshem i tij është kur lodron me topin :

“ Vllaznia do të qëndrojë në Superiore, dhe do të jetë pretendente sezonin tjetër, bashkë me Partizanin  e Kukësin”.  Pa mbaruar sezoni i ferrit, ku Vllaznia ndodhet  buzë greminës, “bomberi” lëshon, si pa të keq, zaret e fatit për vitin e ardhshëm.

Në cilin kampionat tjetër të futboll-manisë, qoftë edhe në Ballkanin e çudirave, ekipi që rrezikon kokën dhe historinë e pasur të klubit, ta shpërfillë hallin e madh  ku ndodhet , duke katapultuar në qiellin e shtatë …Tamam midis pretendetëve të sezonit tjetër. Kjo është një gënjeshtër natyrale dhe jetike  për lojën tonë dhe nuk mund të thuhet se  e shpikën shkodranët. Pasi ndër 10 ekipe që futen  në garë, më shumë se gjysma trullosen qysh në start me përrallën  “jemi edhe ne pretendentë”.  Dhe kur i themi këto fjalë? Pikërisht në kampionatin që vdiq pa lindur rivaliteti, i denuar nga  një arratisje spektakolare e Skënderbeut, aq sa tani shtiremi sikur gjëja më emocionale,  na qënka kjo beteja plot ekuacione “matematikore”  e mbijetesës…

 

Sfidanti.al