UEFA dhe FIFA, për të cilat thuhej se janë perënditë e vetme të futbollit, dhe asnjë zot tjetër nuk ka fuqinë të ndalë futbollin gobal, janë “gjunjëzur” para një virusi që nuk e tregon fytyrën. Futbolli , në këto momente tragjike, është strukur, nuk flet më me gjuhën e milionave, madje edhe kur flet…tregon humbjet. Nga kjo që po ndodh, ka mësuar i fundit se, shtëpia më e sigurtë nuk është stadiumi, por shtëpia e vogel brenda 4 mureve ku jetojmë. Tani të gjithë kemi frikë nga koronavirusi dhe për herë të parë, bilbilin nuk e kanë në dorë ata që janë mësuar të na servirin kohën, datat , orët, deri edhe.. golat.
Madje, po të kujtoheni mirë, në ditët e para të shfaqjes së koronavirusit, shumë presidentë të botës së topit na rekomanduan se ilaçi më i mirë për të luftuar këtë sëmundje globale..është vetëm futbolli! Edhe në mos qoftë me dyer të hapura, efekti do të ishte miklues edhe me dyer të mbyllura. Ja për shembull, në vendin tonë, kur sheti vendosi që të ndalej jeta, FSHF u krekos se do të vazhdonte “këngën e mjellmës” në mes të një vdekësire të përgjithshme. Do të luanin me stadiume të mbyllur, pa tifozë, meqë kemi vite që jemi mësuar me dënimet kolektive, si për të larguar idenë e frikshme se dënimi më i madh nuk është zyrtar, por popullor,,ngaqë loja nuk ka kolona besimi!
Nuk dihet se kur do ta përcjellim këtë virusin e fundit, por një gjë dihet, se do të mbeten të paharruara fjalët e presidentit tonë , ato ditë të fillimit, kur në portat e futbollit trokiti një virus krejt ndryshe nga ato që kemi përjetuar mes nesh. Dhe shefi fuqiplotë i “mbylli derën” me fjalët historike: “ Sa gripëra kemi parë ne, mos u trembni nga ky me këtë emrin..koronavirus”
Sfidanti.al