Kur Shqipëria mbetet pa trajner, harta e botës na duket e vogël !

Paska thënë kapiteni Hysaj se trajnerin e Kombëtares e do Italian! Po ti, portieri Berisha, nga cili vend e do? Po ti Xhaka? Po Gjimashiti e Aliji nga cili cep i botës e preferoni. Po vetë “zoti ynë” me cilën gjuhë do të merret vesh me trajnerin fatlum? Sa herë që i japim dorën e fundit trajnerit, kuptohet.. me bojën e preferuar kuqezi, harta e Botës duket shumë e vogël për të mbaruar hallet e Shqipërisë se topit, e cila jeton dyzmin fatal: krenohet me fronin, por vuan me stolin! Sikur jemi të mallkuar, në fron kemi patur fatin e madh, epik, me një “trajner” të përjetshëm, kurse për të gjetur trajnerin e stolit, sa herë që fusim dorën në thes..kapim atë që s’duhet…

Por, le të kthehemi tek çunat tanë të Kombëtares, ata që kanë zotësinë të bëjnë pak futboll në fushë, ngaqë më shumë lodhen kur lodrojnë nëpër intervista. A kanë të drejtë morale futbollistët e një ekipi përfaqësues të madh apo dhe të vogël qoftë, si puna jonë, të shprehin dëshirën për trajnerin që do të vijë pas trajnerit të shkarkuar. Po kur iku Sarri nga Napoli, ju shkon nëpër mend se shqiptari Hysaj mund të ketë guxuar të thotë : “Dua prapë..një trajner Italian!”

Duhet të ketë thënë diçka, qoftë edhe nëpër dhëmbë, derisa pas Sarrit, erdhi një Italian më i vërtetë, profesor Ançeloti. Po tek ne cili Italian mund të vijë, na e trego se na çmënde fare? Do kthehet përsëri De Biazi , intriga e moçme, apo është lojë emrash sa për tallur menderet shefat ? Apo mos e kanë caktuar me kohë Edi Rejën, trajnerin më pragmatik midis italianëve, që për të njohur më mirë Kombëtaren tone, nuk priti ndeshjen në Shkodër, por shkoi me një frymë në Kryeministri për ta nisur lojën e vogël nga loja e madhe…

Sfidanti.al