Në të gjithë Europën po flitet për një hall të madh që paskan profesionistët e futbollit, pikërisht për atë që ky “dreq” koronavirusi mund t’i lerë këtë vit pa rrogat dhe shpërblimet e tyre. Një fatkeqësi vërtet, pasi ata kanë firmosur për këto para, ishin përgatitur, djersitur dhe kishin luajtur deri në frymën e fundit për to. Sidomos në Angli, në vendin ku më së pari në Europë u ngrit fetishi i parasë, kjo është çështje kryesore.
Gjithsesi, pasi njeriu ndalet pak dhe mendon, i vjen të bërtasë me të madhe: Ore çuna, e dini ju se çfarë po ndodh? Po vdesin njerëz, po shkatërrohet biznesi dhe jeta e sa e sa familjeve, po errësohet e ardhmja e tyre, ndërsa në Lombardi të Italisë është arritur deri aty saqë ata më pleqtë dhe më të sëmurët, të lihen pa respirator dhe ndihmë mjekësore, sepse nuk del për të gjithë.
Në këtë situatë, të vjen në mendje fjala e popullit “fshati digjet, k… krihet”. Rroga mesatare e një futbollisti në Premier Ligë është rreth 4 milionë USD në sezon, dhe shkon nga gati 9 milionë për Mançester Sitin, në mesataren minimale prej gati 1 milionë USD tek Brajtoni. Më të varfërit, lojtarë në Premier marrin mesatarisht rreth 1 milionë euro, dhe këta njerëz që nuk dinë se çfarë është halli, po qahen për hallin e madh që u ka rënë! Këto rroga ata i kanë pasur edhe sezonin e kaluar, edhe atë përpara të kaluarit, do t’i kenë edhe sezonin e ardhshëm, por ja që qenka hall i madh që nuk i marrin të plota milionat këtë vit. Diçka që është vërtet e vështirë edhe për ta dëgjuar, jo për ta diskutuar.
Sfidanti.al