Japonia merr flakën nga grekët, por a do të ketë Lojra Olimpike?!

Ato janë shtyrë vetëm për shkak të luftërave botërore, por tashmë duket se do të ndalen për një sëmundje. Lojrat Olimpike janë në rrezik për t’u shtyrë, ndonëse Japonia, organizatorja e tyre, këmbëngul që të zhvillohen. Në këtë drejtim ishte edhe ceremonia e dorëzimit të flakës olimpike, që u krye në Athinë të Greqisë, dhe ku ministri grek i sporteve, Spiros Kapralos, i dorëzoi pishtarin olimpik ish-notares olimpike japoneze, Imoto Naoko. Ceremonia ishte në vendin tradicional, në stadiumin “Panathinaiko” të Athinës, aty ku u mbajtën Lojrat e para moderne Olimpike në 1896, ndonëse pa praninë e spektatorëve. Qeveria japoneze dhe Komiteti Olimpik Ndërkombëtar kanë këmbëngulur që Lojrat duhet të mbahen sipas kalendarit në datat 24 korrik-9 gusht, por gjendja e koronavirusit është e tillë që ato mund të shtyhen, siç ndodhi me Europianin e futbollit dhe Kupën e Amerikës.

Sfidanti.al