Janë dy prej më të talentuarve sot në futboll. Flasim për Pol Pogbanë, mesfushorin francez të Mançester Junajtidit, dhe Erling Halandin, sulmuesi norvegjez të Borusias së Dortmundit. Njëri prej tyre, me gjasë, mund të kalojë në verë tek Reali i Madridit, dhe kjo mendohet pas fjalëve të thëna nga agjenti i tyre, Mino Raiola. Italiano-holandezi i shkathët ka shumë futbollistë në menaxhim, mes të cilëve edhe Pogbanë e Halandin, dhe ai foli pak a shumë hapur për të përditshmen spanjolle, “Marka”.
“Marrëdhëniet e mia me Realin janë shumë të mira, – u shpreh Raiola, – unë dua që të dërgoj një futbollist të madh atje, dhe do ta provoj këtë verë. Do të ishte krenari për mua dhe për lojtarët e mi, sepse Reali është një klub kaq i madh”.
Ai nuk e ka fjalën për portierin Alfonso Areola, që ndodhet aktualisht në “Santiago Bernabeu”, pasi francezi është i huazuar nga Paris SG. Gjithsesi, nuk është e lehtë të gjesh se cili lojtar i Raiolës mund të shkojë në Madrid. Pogba vërtet që pritet të largohet në verë nga Mançester Junajtidi, por analistët dhe mediat në Europë mendojnë se ai mund të kthehet tek Juventusi. Një sinjal të fortë, kampioni i botës e dha duke u stërvitur këto ditë me një fanelë të Juventusit, ndonëse sqaroi se këtë e bëri si mbështetje për Bled Matyidinë, që ka dalë pozitiv me koronavirus.
Halandi, po ashtu, nuk pritet të lëvizë kaq shpejt, pasi ai vetëm në janar kaloi tek Dortmundi. Agjenti 52-vjeçar i lindur në Noçera Inferiore të Italisë së Jugut, ndoshta mund të dërgojë tek Reali ndonjë lojtar tjetër, pasi ai ka kontratë me disa yje të rëndësishëm. Mes tyre janë mesfushori i Paris SG, Marko Verrati, Zllatan Ibrahimoviç i Milanit, Matejs De Ligt i Juventusit, si dhe portieri i Milanit, Xhanluixhi Donaruma, i cili pritet të mos rinovojë dhe të largohet për në një skuadër tjetër.
Sfidanti.al