Kur më i miri bëhet ..më i keqi! Enea Jorgji “harron” kartonin e kuq në shtëpi!

Partizanit nuk i jepet një penallti, trajneri Teutës, Martini ironizon arbitrin e FIFA-s, Jorgji duke thënë “Bravo i qoftë për aq sa bëri”,  ndërsa kryetarja e Bashkisë në Shkodër, zonja Ademi i lëshohet  arbitrit Meta me thirrjen : “Pse nuk na lini të luajmë futboll?”.  A mund të pagëzohet si “javë e qetë”,  një javë që , nëse do të besonim tek përcaktimi ngushëllues i Lorenc Jemini në ekran,  në rolin e maviolistit që shet  modë :” Ishte javë e qetë dhe arbitrat nuk kishin shumë punë!” Akoma nuk po punokan me orë të plota, ngaqë është veçse  fillimi i kampionatit dhe zakonisht në këtë periudhë , arbitrat,  tamam si mesfushorët, i shpërndajnë gabimet në tërë palët,  pa zbuluar se cili do të jetë klienti i preferuar i këtij sezoni…

Edhe pse shpërfillin me porosi gabimet “e vogla”,  në këto javë gjoja të qeta,  le të ndalemi tek më i miri, tek  Enea Jorgji, arbitri më hollak  ndër ata që mbajnë stemën të qepur në gjoks , i cili  kur gabon duket sikur rëndohet në peshë!.  Sapo trajneri Martini thotë në mënyrë lakonike dhe ironike njëherësh  “ bravo i qoftë për aq sa bëri”, mëndja s’të shkon shumë tek penalltia e padhënë për Teutën, ngaqë ato janë  si hudhër për të prishur syrin e keq të fillimit,  por tek futbollisti i Bylisit që po festonte “ditën e dhunës” me 3 ndërhyrjet e tij flagrante , sa dukej sikur kërkonte me zell  kartonin e kuq, apo  sikur ta dinte që Jorgji të kuqen e kishte ne shtëpi , kurse te verdhën me ..pikatore!

Sfidanti.al