Fillimisht ishte kavilja dhe tani dëmtimet muskulare. Eden Hazard nuk po gjen qetësi nga dëmtimet që nga momenti që është transferuar te Reali i Madridit. Në sfidën me Deportivo Alaves, mesfushori belg pësoi dëmtimin e radhës, që është një dëmtim muskular në këmbën e djathtë që pritet ta mbajë atë jashtë fushave të lojës për 3-4 javë që do të thotë se ai nuk do të jetë në derbin me Atletico Madrid në 12 dhjetor dhe në skenarin më të keq, mund t’I thotë lamtumirë vitit 2020.
Në Belgjikë, mjeku i përfaqësueses, Kris Van Crombrugge bëri të qartë shkakun e dëmtimeve të shpeshta të Hazard.
‘Eden gjithnjë dëshiron të japë më të mirën-tha Kris Van Crombrugge-mendoj se e ka kaluar limitin dhe e detyroi trupin të shkojë shumë larg. Në Madrid, pritshmëritë janë të mëdha. Nga jashtë Eden të jep përshtypjen i paprekshëm nga presioni, por askush nuk i shpëton stresit dhe kjo mund te ketë impakt te muskujt’.
Për momentin Hazard ka marrë pjesë në 6 nga 14 ndeshjet zyrtare të Realit të Madridit. Humbi 2 sfidat e para në La Liga për të mos rrezikuar me kaviljen dhe kur u bë gati të debutonte, një dëmtim muskular e mbajti jashtë fushave për 25 ditë. Pas riaftësimit, luajti 3 ndeshje, por pozitiviteti me Covid përpara sfidës me Valencian e la sërish jashtë fushave. Pasi kaloi Covid luajti në 3 ndeshje, por në pjesën e parë të sfidës me Alaves, trupi I tij tha sërish mjaft dhe kushedi ai ndoshta mund të humbasë edhe 2020.
Sfidanti.al