S’ka gjë më të keqe se të jesh kampion dhe të ndihesh borxhli ! Dhe çfarë borxhi! Tirana doli kampione, tamam kur mbushi 100 vjeç, tani në moshën 101 vjeçare, nuk ka frikë të shpall publikisht se futet me zell në gropat e “Air Albanias”. Pse kjo sacrifice sublime per lojën? Për shkak të një borxhi te madh në ditët jubilare te . Pale kur gjurmon orët e fundit në prag të Derbit, ku vetëm duke dëgjuar intervistat e trajnerëve Nevil Dede i Tiranës dhe Ilir Daja i Partizanit, kupton se qëndrimi i trajnerëve me fushën ku do të luhet derbi “pa gojë” ( pa tifozë) i përket dy botëve ekstreme , për njërin, Nevilin, fusha e Air Albanias është parajsa, kurse për Dajën s’është gjë tjetër veç ferri i trukuar si ..lëndinë.
Nëse do të besonim se futbolli luhet edhe me fjalë, atëhere ndeshjen se së vërtetës e paska fituar Partizani i Dajës. Ato që tha Nevili para gazetarëve, ishin si një rrufe në qiell të..papastër: “ Nuk e di çfarë ka fusha e Air Albanias, por di që ai stadium është imazh, është reklamë , është një investim i madh i FSHF-së”. Me këto fjalë plot shërbet, mund të mbulohen jo vetëm gropat e fushës së “stadiumit më të bukur në Ballkan”, por edhe gropat që i kemi hapur vetë..futbollit. Aq sa Daja, trajneri i “demave”, dukej sikur i përkiste një realiteti tjetër kur tha: “ Unë kam parë pamjet e fushës që m’i dhanë nga klubi dhe habitem s’i ka pranuar Tirana të luajë në atë fushë me halle …”
Edhe pak orë na ndajnë nga Derbi , por nuk jemi të sigurtë nëse kjo ndeshje a mund të shijohet si Derbi, kur Covidi i ka marrë “shijen”, pra tifozët, kurse shefat i kanë tredhur edhe ditën :s’do të jetë e dielë, por e premte! Një premte, që po të flasësh me gjuhën e biznesit, siç pretendon se është edhe futbolli, mund të pagëzohet e premte e zezë ngaqë çmimi i së vërtetës ka rënë më shumë se ..50%!
SFIDANTI.AL