Trajneri Magani ka vënë duart në kokë kur ka parë arbitrin Xhaja që plasi të kuqen për futbollistin e tij, Musta, edhe pse faullin flagrant e kishte nisur Gavazaj i Skënderbeut. Trajneri Duro i Flamurtarit nuk u largua nga mikrofoni pa thënë disa fjalë shpuese për arbitrin Hamiti pas ndeshjes me Kukësin: “ E kishte mësuar shumë shpejt zanatin..”
Mos u qani për arbitrat, ata kanë tradhëtuar edhe presidentin Duka, “prindin” që i rriti me duart e veta në këto 16 vite, kur një ditë i plasën shpirtin dhe dolën fjalët e padëgjuara ndonjëherë: “ Ka disa arbitra që duan të sabotojnë kampionatin”. A mund të tradhëtohet mbreti? Ku dreqin e gjejnë fuqinë arbitrat që s’kanë frikë të gabojnë, sa shkojnë duke kënduar në dhomat e izolimit. Kujdes nga mashtrimi, se loja është dribluese. E nisën kampionatin me gafa jashtë orbite dhe do ta luajnë pjesën me besnikëri deri në fund të kampionatit, që fjalët e shefit të dalin të vërteta. Skenari ka shumë intrigë edhe në tre javët e fundit, do të bindemi të gjithë se kemi parë një film me zemër në dorë. Pale kur kujton edhe bashkëpunimin e kushtueshëm me arbitrin slloven, të cilin gjoja e qortuam publikisht, kurse në Rinas e kanë përcjellur si një misionar besnik që vuri gurin e tij në “kalanë” e këtij kampionati, ku historitë e tij i di vetëm Nastradini ..
Të gjithë shikojnë nga qielli për të gjetur përgjigjen se cili ekip do ta fitojë kampionatin Kukësi, Partizani apo do të mbetet tek “pronarët” e Skënderbeut. Përse nga qielli dhe nuk shikojnë nga toka? Sepse futbolli ynë në këto momente është më shumë në ajër sesa në tokë. Ndaj edhe çunat e oborrit na kanë premtuar një mbyllje hollivudiane të këtij sezonit, ku një helikopter do të ngjitet me trofeun të varur poshtë barkut, për ta lëshuar “glasën e bukur” në një qytet që do të dehet nga lumturia…
Sfidanti.al