Kampionët e vendit kanë humbur një tjetër ndeshje, këtë rradhë pa mundur të shfrytëzojnë fizikun e rënduar të korçarëve dhe duket se asgjë nuk po shkon më mbarë në kampin e tyre. Kjo është humbja e tretë e skuadrës verilindore në vetëm 13 ndeshje të luajtura, ndërsa një sezon më parë ka shënuar vetëm një humbje, atë të Gjirokastrës, në javën e fundit të kampionatit. Por që atëherë kanë ndryshuar shumë gjëra. Më e rëndësishmja është, që Kukësi i Gjicit nuk ka më të njëjtin akses jashtë fushës, pikërisht atë që e ndihmoi ndjeshëm për të arritur te titulli i madh, për herë të parë në histori. Atëherë mund të zgjidhte pa ndroje midis xhaketave të zeza dhe veç kurorës nxorri edhe “Këpucën e Artë”, por me 11 penallti të shënuara. Ndërkohë, gjatë periudhës së verës, presidentin e zuri më shumë inati me disa lojtarë që vendosën të largoheshin, të cilët donte t’i kthente me çdo kusht, pa e vrarë mendjen se jo të gjithë ia vlenin sërish të trajtoheshin si kampionë. Rezultati është që këtij ekipi i është çorentiuar mbrojtja, madje për të qenë më të drejtpërdrejtë, duhet thënë se i fut ujë nga të gjitha anët, ndërsa në majë mungon njeriu-gol. Sidoqoftë, diçka nuk ka ndryshuar… Si trajner i Kukësit, nuk është e rëndësishme nëse e fiton kupën, apo kampionatin, pasi je i shkarkuar njëlloj, si për të treguar se njerëzit e stolit nuk janë drejtues të mirëfilltë, por thjeshtë punëtor të zakonshëm, kështu që nuk kanë ndonjë meritë të veçantë në arritjen e objektivave.
Por, trajneri Milinkoviç, i cili deri në fillimin të edicionit të shkuar ishte fare i panjohur, por që në fund u transferua si ekspert nga Gjirokastra, e ka gjithsesi një meritë të padiskutueshme. Këtij zotërisë duhet t’i ketë vërtetë forcë fjala, derisa ka nxjerrë jashtë natyrës edhe vetë Safetin, duke e kthyer në një njeri super të durueshëm. Tekniku serb vazhdon të qëndrojë në pankinë, pavarësisht gjithë këtyre dështimeve, pa përfunduar ende gjysma e sezonit. Milinkoviç e bindi presidentin e Kukësit për të zëvendësuar Ernest Gjokën, vetëm duke përdorur projektin që pëlqehet më shumë në Shqipëri: “Premto pa doganë”. Nuk iu dridh aspak zëri kur bëri të ditur, se do t’i fitonte të gjitha troferë e mundshme që ekzistojnë në këtë vend, madje jo vetëm zyrtaret, por edhe ato që do të shpikeshin gjatë rrugës, si dhe ç’ishte më e rëndësishmja, me një lojë spektakolare dhe jo si ajo e Gjokës, që i vinte në gjumë kuksianët. Deri tani e ka humbur Superkupën, duke u shkatërruar nga Tirana e Kategorisë së Parë, ndodhet nëntë pikë larg Skënderbeut në tabelën e klasifikimit të kampionatit, madje as nuk është ndjekësja më e afërt e korçarëve, sepse sipër skaudrës së tij ndodhet edhe Kamza, një njohje e vjetër e Gjicit, ku ka humbur një herë më parë një objektiv jo-sportiv. Sidoqoftë, Milinkoviç është në telashe, ndërsa Kukësi duhet plotësuar, pasi skuadrës aktuale nuk i kanë mbetur më shumë se dhjetë futbollistë, të denjë për të qenë në fushë.