Ku janë golat? Të presim tek Skënderbeu, profesor  Oto Bariç…

Oto Bariç, “plakushin” që e përcollëm me lulet e tradhëtisë nga Kombëtarja, kur gati ia kishim harruar edhe zërin,  ka dhënë një deklaratë që duket e thjeshtë në pamje të parë. Shkak është bërë Skënderbeu që u ka prishur gjumin kroatëve dhe terezinë e kujtimeve trajnerit të moçëm.

“Kur unë isha trajneri i Dinamos së Zagrebit, ne u bënim klubeve shqiptare 7 apo 8 gola. Madje edhe kur luaja me skuadra të tjera kundër shqiptarëve, fundi ka qënë i njëjtë”. Askush nuk dyshon tek fjalët e profesor Otos, ngaqë të gjithëve na dhëmb “kolona” nga pesha e golave që mbajmë në kurriz, por ish-trajneri kuqezi,  sapo prek temën provokuese të golave më shumicë, si në një lojë bilardo, bilat e kujtesës shtyjnë njëra- tjetrën në drejtim të gropës. Si mund ta harrojmë ndeshjen në Rumani, kur Bariç ishte trajner i Kombëtares dhe 6 golat që mblodhëm në portën tonë, më shumë ia faturuam trajnerit sesa futbollistëve,  heronjve që “ndihmuan” trajnerin e tyre  të bënte gati valixhen natën dhe jo ditën.U  pëlqen apo s’u pëlqen kroatëve, në këtë rast, golat i kanë pësuar ata, sepse trajneri kur iku i mori golat për vete, pa i ndarë sipas stilit të  tij kur njerëzit e fushes e tradhetonin.

Ju kujtohet dikur , shumë vite më parë, kur linim takim tek  vendi i shenjtë në Tiranë tek busti i “Skënderbeut”? Tani,  si një kapricio e fatit, takimi i mallshëm me ish-trajnerin bëhet tamam tek Skënderbeu.  Në këtë rast nuk është bust, por një ekip, që po lufton kundër të gjithëve për të patur një bust modest, që të kujtohet më shumë  për mirë sesa  për keq. Ndaj  edhe komenti i kroatit të “lashtë”,  Oto Bariç për ndeshjen e parë me Dinamon e Zagrebit, mbetej peng i keqardhjes ku munguan golat tradicional  në portën shqiptare, aq  i zhgënjyer  nga Dinamo pa dhëmbë, sa nuk mundi të kujtonte faktin kokëfortë se Skënderbeu i bëri të lumtur me barazimin në fund, tamam sikur të kishin fituar me..shumë gola, si dikur.

Sfidanti.al

Botuar ne gazeten Panorama Sport