Kthehet Gega në Amerikë se s’dilte kampion, “vrapon”  Shehi nga Spanja …

Sa herë del në skenë emri i Skënder Gegës, trajnerit kampion me Partizanin, duket sikur e vërteta dirblohet,aq sa  s’e fiton dot duelin me ..thashethemnajën.  Mënyra se si iku nga Partizani, njeriu që mori bekimin e një trajneri  me vepra e pa shumë fjalë, mbeti si një ekuacion për zgjidhje. Kurse në këto momente, një tjetër mjegullnajë krijohet sapo përmendet emri i tij si trajner i Kukësit . Ka nga ata që besojnë se presidenti Gjici dhe trajneri Gega janë prishur sepse njeriu i stolit nuk ka pranuar kushtin  “vetëvrasës” : dil kampion që të ulesh në stolin tim  ! Po cili trajner , edhe me guxim jashtë logjikës, do ta pranonte të merrte një ekip, ku çekani do t’i godiste kokën për çdo javë?  Nëse besohet kjo përrallë-bisedë, atëherë me të drejtë parashikohej se askush nga trajnerët e Superligës nuk do t’i afrohej  jo Kukësit në stol, por Gjicit për të biseduar…

Por, Kukësi e ka gjetur shumë shpejt trajnerin e ri, duke përmbysur skepticizmin kolektiv , dhe dikush  “vrapon” nga Spanja për t’i dhënë jetë fiksimit suprem  të presidentit për të dalë kampion! Nuk është spanjoll, por një trajner i brezit të ri të Superligës, i cili quhet Orges Shehi dhe që pretendon se zotëron “gralin ” që të çon drejt titullit. Edhe pse po e mësojmë përmendsh referenin se edhe Shehi do të shkarkohet,  nëse nuk mbërrin në tempullin e kampionit në fund të sezonit, nuk është krejt pa vend të  pyesesh :  pse Gegës ia  shtrënguan lakun qysh në fillim, kurse Shehi do ta provojë deri në fund?  Po të njohësh zakonet  e Superligës, se si ndryshon loja  në  bursën e bisedave, sidomos kur në skenë janë punëdhënësit, presidentët, dhe “të bindurit e urtë”, trajnerët,  nuk është ndonjë qamet i madh të besosh se në lojë, sipas modes,  kanë hyrë edhe… shkesët .

Sfidanti.al