Ishte fjala për një minifazë përgatitore prej vetëm disa ditësh. Paris SG do të kishin disa ditë pushim deri në ndeshjen e Kupës në Lion të mërkurën, dhe trajneri Tomas Tuhel mendoi që skuadra t’i kalonte në Spanjë, në kohë me mot të ngrohtë e me diell, për t’u përgatitur sa më mirë për javët e ardhshme. Kështu mendoi Tuheli, por siç thotë populli, “i bëri hesapet pa hanxhinë”. E përditshmja kryeqytetase, “L’Ekip” shkruan pikërisht kështu, pra që ai “i bëri llogaritë (matematikën) pa yjet e tij”, dhe kuptohet nuk i doli përfundimi i dëshiruar.
Nejmari, Mbapeja, Verrati, Kavani, Ikardi apo të tjerë e pritën ftohtë idenë e trajnerit dhe deklaruan se ata donin të qendronin në Paris pranë familjeve të tyre. Ata arsyetuan se periudha e ardhshme do të jetë shumë e ngaruar, me “javë angleze” (pra me nga dy ndeshje në 7 ditë), ndaj edhe donin të pushonin. Tabloidi gjerman “Bild” shkruante me nënkuptim: “Të shohim nëse ata do të jenë të shlodhur në ndeshjet e ardhshme”!
Sfidanti.al