Ballkani mund ta ketë më në fund një kampione të botës. Ajo që mund ta bëjë quhet Kroaci, kombëtarja e një vendi fare të vogël me vetëm 4 milionë banorë, që bëri mrekullinë e radhës, duke eleminuar Anglinë e duke siguruar finalen ndaj Francës. Ishte një tjetër dramë e kësaj Kupe të Botës, edhe pse nuk mund të quhet një e papritur, në një turne që ka pasur kaq shumë tronditje.
Formacioni i trajnerit Zllatko Daliç përballoi nisjen shumë të të mirë të anglezëve, që shënuan që në minutën e 4-ët me anë të Tripierit. U përballua edhe stërlodhja e dy ndeshjeve radhazi nga 120 minuta dhe me gjuajtje penalltish, si edhe lodhja e gjysmëfinales që u luajt po 120’.
Kroacia, inferiore në pjesën e parë, reagoi në mënyrë madhështore pas pushimit, duke merituar gjithçka. Jo vetëm barazoi me anë të Perishiçit, por iu afrua golit disa herë. Forca e madhe e karakterit u duk në kohën shtesë, kur vendosmëria për të fituar doli më e fortë se lodhja. Në një duel vullnetesh, triumfoi ai i kampionëve kroatë.
Përse fitoi Kroacia dhe përse humbi Anglia? Përgjigja është për shkak të personalitetit më të madh të lojtarëve. Modriç, Rakitiç, Lovren, Vrsaljko, Subashiç, Manxhukiç apo Perishiç janë yje që luajnë në klube të mëdhenj si Real, Barcelona, Liverpul, Atletiko, Monako, Juventus, Inter.
Fjalët e Luka Modriçit duken si profeci: Ndoshta është e shkruar të fitojmë duke vuajtur. Ballkanasit duhet të përballojnë edhe vuajtjen e fundit për t’u shpallur kampionë të botës.
Sfidanti.al