Konfirmohet formula që po “vret” Superioren

Konfirmimi i datave zyrtare për futbollin shqiptar është një zyrtarizim edhe i faktit që asgjë nuk do të ndryshojë në lidhje me formulën edhe pse heshtja e gjatë e kishte qartësuar këtë qëndrim nga ana e FSHF-së. Edhe pse me formulën aktuale Superiorja humbi garën, tifozët dhe atë pak shkëlqim që mund të kishte, nuk ndryshon asgjë. Në selinë ku gatuhen fatet e futbollit shqiptar nuk janë aspak të shqetësuar për faktin që njerëzit e braktisën futbollin elitar por preferojnë të jetojnë me kujtimet e mësymjes së Gjermanisë nga populli kuqezi.

Askush nuk e thotë me zë të lartë që ata tifozë në tre ndeshjet e Kombëtares nuk kanë asnjë lidhje me futbollin shqiptar që si për ironi, sa më shumë rritet Shqipëria, aq më shumë zhytet në nivel. Tashmë do të jemi dëshmitarë të 36 javëve sfilitëse që këtë sezon u dukën si një mankth pa fund por nuk ka rëndësi, i gjithë fokusi dhe energjitë janë te emri që mund të pasojë Sylvinhon, edhe ky i fundit i kaluar në librin e historisë me heshtje.

Nga Pirro Bardhyli