Argjentina është finalistja e parë e Copa Americas. Lionel Messi me shokë ia dolën të triumfojnë me rezultatin 2-0 ndaj Kanadasë në gjysmëfinale dhe të bëhen finalistët e parë të 15 korrikut, aty ku do të përballen me fituesen e çiftit Uruguai-Kolumbi. I rikthyer në formacion nga minuta e parë, ishte Julian Alvarez ai që i dha avantazhin Argjentinës në minutën e 22-të, ndërsa në fillim të pjesës së dytë la gjurmën e tij edhe Lionel Messi, i cili shënoi golin e dytë dhe vulosi kualifikimin. Nga ana tjetër Kanadaja u përpoq të luajë si e barabartë dhe ia doli deri diku, por çaloi në finalizim, duke mos ia dalë të bëjë një tjetër surprizë e të shkojë në finalen e madhe. Në orët e para të mëngjesit të të enjtes, Uruguai dhe Kolumbia do të përballen në gjysmëfinalen e radhës për të përcaktuar edhe skuadrën që do të diskutojë trofeun me Argjentinën më 15 korrik në “Miami Garden”.
sfidanti.al