Kombëtarja ka rënë me kokë, në konferencë u rrëzua edhe Edi Reja

Edhe pse trajneri i Kombëtares, Edi Reja, ka gjuhën e çiltër të një babaxhani, edhe pse disa futbollistë të Kombëtares po predikojnë se me ikjen e Panuçit ka më shumë demokraci dhe lumturi në shtëpinë kuqezi, ajo që ndodhi në konferencën e shtypit ishte si një “mallkim”, ose siç thuhet në gjuhën e popullit.. marrje në  sysh. Trajneri Edi Reja, në momentin që po zbriste nga podiumi , pasi kishte dhënë konferencë për shtyp, është rrëzuar duke gjetur në “gjumë” edhe ata që e shoqëronin. Kjo mund t’i ndodhë kujtdo, edhe një trajneri me gjunjë më të fortë dhe me moshë më të re, por në rastin tonë është ndryshe. Nga Lorik Cana dhe shumë të tjerë, u shprehën bashkarisht, qysh në prezantim, se  trajneri Reja është shumë i madh në moshë për një ekip që kërkon të ulë moshën e lojës teknikisht dhe të pastrohet nga veset moralisht.

Edi, një zotëri  i qeshur,  një trajner që ka krijuar raporte me futbollistët qysh në takimin e parë, s’është si Panuçi që  pranonte të imitonte çdo trajner të botës, por jo dikë që mbante emrin Xhani De Biazi , të cilit i kishim veshur me patetizëm kuqezi  edhe petkun e heroit. “ Dua të vazhdoj punën e De Biazit” –  ka si refren  Reja, ndersa  duket se nuk ka aspak frikë nga ekipi, i cili para syve të tij tradhëtoi Panuçin në ndeshjen me Turqinë. “Do të përdor edhe bastunin nëse do të jetë nevoja” – ka qeshur mister Edi, duke treguar se artin e komunikimit më shumë se nga përvoja në stol , e ka dhunti personale. Por, për t’i bërë të lumtur futbollistët e Kombëtares sonë, nuk duhet ndonjë zotësi e  rënë nga qielli, pasi kanë treguar me vepra , ndër vite, se me një shtypje  butoni shfaqen të lumtur. Basti i madh i Rejës janë niveli i lojës dhe tifozët, sepse po ishte për futbollistët,  sa herë shefi i madh zhgënjehet me  “pakon e radhës”, ata mezi presin të  dëshmojnë  se kanë aftësi më të madhe  për të përcjellë trajnerë sesa për t’i zgjatur jetën..!

Sfidanti.al