Tifozët e quajtën “njëri prej nesh”, lavdi e merituar për Ranierin

Nuk fitoi shumë trofe, por bëri për vete shumë zemra. Në Firence, në Valencia, në Londër, ndër Leister dhe padyshim në Romë, Klaudio Ranieri është një mik, një shok, një zotëri. Atij iu bë respekti i duhur dhe shumë emocionues në përfundim të ndeshjes Roma-Parma në Serinë A, pikërisht në mbyllje të sezonit, në të njëjtën mbrëmje kur dha lamtumirën edhe legjenda Daniele De Rosi.

“Zoti Ranieri, ti u përgjigje “këtu” sa herë që ne kishim nevojë, tani merr mirënjohjen e njerëzve të tu”! Pra, Ranieri u quajt nga ultrasit “njëri prej nesh”, vlerësimi më i madh që mund t’i bëjnë tifozët një lojtari apo një trajneri. Ndaj Parmës ishte ndeshja e fundit e 67-vjeçarit në stol, ndërsa klubi ndoshta do të marrë Gasperinin e Atalantës. Ranieri arriti kulmin e karrierës tek Leisteri duke dalë kampion i Anglisë, ndërsa hodhi baza suksesi tek Fiorentina, Valencia, Çelsi apo Roma.

Ndoshta, ndonjë president si Roman Abramoviçi nuk pati respektin maksimal për italianin, por sa pak vlerë duket se ka kjo gjë tani, kur Ranieri mori nderimin e thellë dhe të përjetshëm të tribunave. Në fund të fundit, a nuk thoshte legjenda e stolit të Liverpulit, Bill Shenkli se “futbolli ka një trinitet të shenjtë ku bëjnë pjesë tifozët, lojtarët dhe trajnerët, ndërsa presidentët vlejnë vetëm për të firmosur çeqet”.

Sfidanti.al