Sarri, kjo është mënyra e duhur për të përgatitur një finale?!

Që është i lodhur nga nervat, kjo kuptohet pa u lodhur shumë. Mauricio Sarri po mbyll një sezon tepër të vështirë në futbollin anglez, dhe gjithë pasojat e tensionit shumëmujor shpërthyen në stërvitjen e fundit para finales së Ligës së Europës. Trajneri i Çelsit e humbi fare qetësinë, pasi Gonzalo Higuain e David Luiz u përplasën dhe shkëmbyen fjalë të forta gjatë gjithë seancës në stadiumin e Bakusë. Ai vendosi të braktiste fushën në formë proteste, madje hoqi kapelen nga koka, e hodhi përpjetë dhe pastaj e gjuajti me shkelm.

E gjitha kjo mund t’i prishë punë bluve për ndeshjen e sotme ndaj Arsenalit, shansi i fundit për të fituar trofe këtë sezon. Reagimi i trajnerit italian ishte i ngjashëm me atë që ndodhi në “Uembli”, pranë fundit të finales së Kupës së Ligës ndaj Mançester Sitit, kur desh iu hodh në fyt portierit të tij, Kepa Arrizbalaga, që refuzoi të dilte nga fusha, sipas vendimit të Sarrit.

Italiani e ka lënë derën të hapur për një largim tek Juventusi, pas finales, ndërsa ka pranuar se muajt e parë në Londër ishin të vështirë, për të kuptuar mentalitetin e lojtarëve. Duket se kjo vështirësi po vazhdon, dhe shpërthimet e Sarrit mund të quhen edhe një lloj papjekurie që mund t’i prishë edhe më shumë punë nëse vazhdon të qendrojë tek Çelsi.

Sfidanti.al