Ndeshja që u paracaktua si “Vaterloja e futbollit”, Kamza- Besëlidhja, për të cilën pati shumë frikë edhe policia për ta marrë përsipër qysh në datën e parë, ka turpëruar edhe vetë finalen e Superligës , Kukësi-Skënderbeu. Ka turpëruar edhe vetë zyrtarët që kishin parashikuar se 90 minutat do të ishin ‘infarkti i dytë” për futbollin e sezonit. Ajo që ndodhi ishte heleluja , sidomos kur kujton se edhe qindra policë me uniforma e me skafandra kanë ndryshuar misionin, ndersa erdhën për të ruajtur “futbollin e çmendur” dhe dolën nga stadiumi i Kamzës me bindjen se ia kishte vlejtur “bileta” për të përjetuar një ndeshje të vërtetë. Atë në tokën e frikshme të Kategorisë së Parë, të cilën shpesh e pagëzojmë si atdheu i dhunës. Edhe pse ndeshja nuk pati fitues, ky ka qënë barazimi me shijen e fitores për vetë futbollin, kur mendon se futbolli i madh pati një fund me shije pa fund, tejet zhgënjyes në planin moral. E pra nuk qënka punë steme, kur shikon se arbitri liliput Sadiku ia del për 90 minuta të gjykojë pa frikë mbi “fuçinë e barutit”, ndërsa Jorgji i stemës, i shënjuar edhe nga ndërkombëtaret si misionar i cilësisë, të kapërcejë ndjeshëm orbitën e lejuar,madje duke trokitur në “Ginesin “ e rekordeve pa nder. Si shpjegohet? S’ka dallime në cilësi, vetëm atehere kur komandohet me ..porosi!
Futbolli i vogël për 90 minuta, na është dukur si futboll i madh dhe kjo vetëm për shkak të besnikërisë ndaj parimit numër 1 të lojës : fituesi të jetë i besueshëm! Edhe pse nuk kishte spektakël, edhe pse nuk gjetëm dot një fitues në një ndeshje të marrë peng nga frika dhe emocioni, ajo që ndodhi ishte si një dritë në fund të tunelit. Kamza do të ngjitet në malin me “gropa’ të Superligës, duke shpresuar se sezonin e ardhshëm do të ketë mbaruar sezoni i gjuetisë së shtrigave për ekipet që vijnë nga poshtë. Kurse Besëlidhja do të mbetet poshtë, por me kokën lart, ngaqë ka bërë histori të pazakontë në këtë sezon. Ka zbukuruar dhe freskuar moralisht Kupën e lodhur nga pazare, duke prekur edhe gjysmëfinalen, dhe fati është treguar më i keq se sa duhet, kur ia ka prerë rrugën, edhe pse nuk dinin të humbisnin…
Sfidanti.al