Ky që luhet në Shqipëri prej kohësh është vërtetë një kampionat shumë i veçantë, i mbushur plot me të papritura, të cilat shpesh të lënë edhe me gojën hapur. Sapo mendon se gjithçka ka marrë formë dhe pretendon se i dallon skuadrat që do të shkëputen dhe të tjerat që do të vazhdojnë garën për të mbijetur, vijnë rezultate spektakolare, aq sa për të ngritur supet dhe për të belbëzuar, se në këtë vend është e vështirë për të kuptuar gjë. Ndërkohë që e gjitha kjo mjafton për të rritur entuziazmin dhe për t’u shoqëruar me një himn të vjetër.
Vazhdon të na thuhet zyrtarisht, përveç se kanë ndyshuar logot e mikrofonëve, se ky i këtij sezoni është kampionati më i fortë në të gjithë historinë e futbollit shqiptar, duke përdorur logjikën, se një skuadre që ngryset e fundit të shtunën, i mjafton një fitore të martën, për t’iu afruar zonës UEFA. Dhe ky ritëm që po na mban entuziazmin e tendosur, në fakt nuk është i tanishmi, por në të kundërt vazhdon prej kohësh dhe është kthyer në një shpikje e jona, e mjaftueshme për të na mbajtur zgjuar.
Ndërkohë që spektakli nuk ndalon as në periudhat kur futbolli i të gjithë Europës e ka vëmendjen nga tregu. Gjysma e parë e kampionatit ka qenë shumë e vështirë për pjesën më të madhe të klubeve, kryesisht për të përmbushur detyrimet financiare të futbollistëve dhe stafeve të tyre. Dhe e gjithë kjo situate është shoqëruar diku me zëra të ngritur dhe diku tjetër me protesta sensibilizuese. Por mjaftoi mbërritja e janarit që ky kampionat kontravers të na çudisë sërish.
Ky është pikërisht muaji që ambjenti gëloi nga lëvizjet e zhurmshme në merkato dhe tani nuk flitej më për rroga të papaguara, por për miliona në para “cash” që hyjnë e dalin nga Shqipëria. Duke llogaritur afrimet e fundit të Kukësit, që klubi i publikoi vetëm një ditë më parë, sipas listave të federimit, numri i lojtarëve të mbërritur në 10 skuadrat tona të Superiores i kalon 50. Ky po që është vërtetë një kampionat që të mahnit me perralla…
Sfidanti.al