Eljon Toçi vazhdon të shkëlqejë në Itali, talenti shqiptar drejt Serisë A!

Seria A ka mjaft kuqezinj, por të tjerë pritet t’i bashkohen. Kandidati kryesor për t’u ngjitur në elitën e futbollit italian është Eljon Toçi, dhe sulmuesi 20-vjeçar e tregoi edhe një herë vetveten. Futbollisti i Shqipërisë U21 shkëlqeu si askush tjetër në fitoren që Fiorentina arriti në fushën e Juventusit me shifrat 5-1. “Vjollcët” ishin të papërmbajtshëm dhe Toçi shënoi një nga golat, por edhe asistoi dy të tjerë. Fillimisht, sulmuesi kuqezi mendoi për shokët duke krijuar rrjetat numër dy dhe numër tre, ndërsa golin e katërt e mori përsipër vetë.

Për Juventusin, shënuesi i vetëm ishte një lojtar me origjinë shqiptare, Luis Hasa, i cili luan për ekipet kombëtare të moshave të Italisë. Fiorentina dominoi plotësisht siç e tregojnë edhe shifrat, duke e kaluar rivalin në klasifikim. “Vjollcët” janë edhe në çerekfinale të Kupës, ndërsa kanë fituar Superkupën në finalen ndaj Interit. Fiorentina është në vendin e tretë në renditjen e kampionatit italian të Shpresave duke pasur 29 pikë në 17 ndeshje, jo larg kreut që mbahet nga Roma, dhe shumë pranë Torinos.

Sfidanti.al