Iku koha e humbjeve dinjitoze? Po, intervistat fituese të ..Dukës?

Ka ikur koha e humbjeve dinjitoze! E dini cili i ka thënë këto fjalë pas ndeshjes me Poloninë? Vetë presidenti i FSHF-së, Armando Duka, që siç duket me Silvinjon do të ketë “derbi” pas çdo ndeshje, pasi braziliani nuk është zgjedhja e tij, por e “zotit” që e mban akoma ne fron. Paska ikur koha e humbjeve dinjitoze, po koha e intervistave “dinjitoze” , gati profetike, që jep presidenti para ndeshjeve, pse dreqin mbeten në fuqi? Cili president tjetër i një federate futbolli, shfaqet me aq flagrancë para ndeshjeve, siç ndodhi edhe në Varshavë, duke u “betuar” se ..kemi ardhur për të fituar ndeshjen!

Paska ikur koha e humbjeve dinjitoze! Po si mund ta besojmë, sepse një sezon më parë, pothuaj dolëm të fundit në grup, dhe tani, sa hap e mbyll sytë, pretendojmë një ndër vendet e para nga Silvinjo. Dhe si për inat , ajo që na panë sytë, qysh pas ndeshjeve të para, ishte si një shuplakë për orgazmën tonë. Të gjithë sipër nesh në grup, të fundit fare, duke mbajtur sipër edhe Moldavinë, madje dhe Ishujt Faroe…

Pse ndodhi kështu? Sepse, zoti i futbollit na paska dëgjuar kur ia shkrepëm si puna e budallait, duke thënë se rivali ynë kryesor është vetëm Polonia , për të tjerët keq na vjen… ky ishte fati i tyre!

Sfidanti.al