Nuk di a duhet qeshur apo qarë me lajmin se FSHF ka hapur dritën jeshile që të bëhet Liga. Bile është treguar edhe shumë xhymert duke i akorduar edhe një milion euro për funksionimin!?
Të tallesh në këtë mënyrë me klubet e Superiores është e turpshme. Të gjithë ata që janë të interesuar për krijimin e Ligës e dinë që tashmë kjo Ligë është krijuar…Po, Po. Ka dhe një kryetar: Koço Kokëdhimen.
Natyrisht nuk funksionon se dikujt nuk i leverdiste të funksiononte. Se pastaj si do të mund të bënte çfarë të donte me paratë e futbollit?
Pra mjafton që ta riaktivizojë atë strukturë që ekziston, duke bërë ndryshimet e duhura, nëse e ka seriozisht. Gjë që është shumë e vështirë të besohet.
Por ajo që sot tingëllon aspak serioze është pikërisht ngritja e kësaj çështje kur akoma nuk është shuar jehona e skandalit të fondeve të UEFA, të cilat , ligë apo jo ligë ,i ka menaxhuar si ka dashur struktura që nuk e kishte këtë të drejtë.
Zhurma e Ligës me siguri është thjesht një diversion për të harruar aferën e fondeve të UEFA, për të treguar se klubet janë të pa afta të vetë menaxhohen, të bëjnë ligën .
Në përfundim të kësaj zallamahie përsëri do të kemi klube që secili më vete mundohet t’i hajë kokën tjetrit ndërkohë që dikush “ha” paratë e tyre.
Ndaj Ligës, edhe këtë rradhë, do t’i marrin të…ligën.
Artan Shyti