Çelsi, faktorët dhe logjika që do ta nxjerrin kampion të Anglisë!

Mbrojtje dhe sulm, ky është solucioni i duhur. Skuadra e Antonio Kontes ka shënuar 25 gola në 11 ndeshjet e fundit dhe ka pësuar vetëm dy (Totenhem, Siti). Në 6 ndeshjet e para kishte shënuar 10 dhe pësuan 9. Vetë Antonio Konte është një arsye për suksesin e skuadrës së tij. Pas një fillimi të vështirë, italiani është bërë një figurë qendrore në Premier Ligë, duke u bërë i pari trajner në historinë e saj që fiton 14 nga 17 ndeshjet e para në detyrë. As Ferguson apo Murinjo nuk ia kishin dalë. Besohej se blutë ishin të fortë sidomos në kundërsulm, por jo vetëm kaq. Çelsi ka lojtarët që driblojnë më shumë se të gjithë, me mesatare 13.8 për çdo ndeshje, ndaj 11.6 të Liverpulit dhe 10 të Man. Sitit.
Mbrojtja dhe sidomos mbrojtja është e pathyeshme, e kuptueshme pasi në stol është një trajner italian. Nga kjo vjen edhe numri i madh i ndeshjeve pa pësuar gol. Mbrojtja ka pas krahëve portierin Kurtua, si dhe dyshen Kante-Matiç në mesfushë. Po ashtu, formacioni i “Stemford Brixhit” ka “faktorin” DK, pra Diego Kostën që shënon gola vendimtarë. Shkëputja e bluve ka qenë fenomenale. Në 11 ndeshjet e fundit (11 fitore), londinezët kanë fituar 33 pikë ndaj 22 pikëve të Liverpulit, ekipit të dytë më të mirë. Habia nuk është që Çelsi ndodhet në krye, po distanca e madhe që ka krijuar. Ekipit të Kontes i duhen edhe 3 fitore për të barazuar rekordin e Premier Ligës vendosur nga Arsenali i Vengerit, me 14 suksese radhazi. Shpresat janë të mëdha për titullin, pasi 5 në 6 sezonet e fundit, kampion ka dalë ekipi që ishte në krye në Krishtlindje, siç është Çelsi sot.

Sfidanti.al