Që ne jemi vrasësit e lumtur të lojës së ndershme apo fair-play , goli i parë i Bakajt në portën e Luftëtarit vlen si një prove flagrante. Skena e golit nuk mund të imagjinohet në një vend tjetër të Europës, ku me siguri do të tundeshin themelet morale të një loje, të cilën e vdesim për hir të pikëve. Çfarë ndodhi? Ka fryrë një bilbil në stadiumin e Gjirokastrës, mu në zemër të ndeshjes, por s’paska qënë i arbitrit, ndërsa në fushë futbollisti gjirokastrit ka ndërprerë lojën , duke e lënë topin pa zot dhe Bakaj, i lindur për këto raste, e dërgon topin në rrjetë pa e vrarë mëndjen për shëndetin e golit.
Aq sa dikush mund të thotë se në koleksionin e golave të tij që kanë genin e talentit, ky do të kujtohet si goli më pa lavdi. Por nuk mjafton kaq, sulmuesi zbulon se golin e mëkatit e paska bërë me një assist të arbitrit Andi Koçi që në atë moment hileqar,kur aksioni është paralizuar nga bilbili, i paska thënë : “ Vazhdo, vazhdo! Po deri ku do të vazhdojmë duke e përdhosur “biblën”.. rregulloren e futbollit ? Në të thuhet qartë se loja ndërpritet kur dikush i fryn bilbilit dhe loja fillon me top të diskutueshëm, por është ndryshe në letër dhe ndryshe në fushë, ku më shpesh kemi dëgjuar “bilbila” që kanë fryer nga tribuna. Ndaj, do ta provonte një here edhe populli magjinë e tij..
Kur topi që goditi Bakaj po shkonte “krenar” drejt portës së gjirokastritëve, sepse na u kujtua episodi me atë videon që bëri bujë disa javë më parë. Një fëmijë shënoi gol duke dribluar kundershtarin, pa e ditur se dikush ishte dëmtuar në fushë dhe po kërkonte ndihmë. Jo vetëm që nuk mori urime, por trajneri dhe disa nga shokët e qortuan për gjestin. Kurse Elis Bakajn disa nga shokët e përqafuan, kurse trajneri Milinkoviç dukej si dora jonë kur spërdridhej para pyetjes thumbuese: nëse do të ishit ju futbollist, do ta shënonit këtë gol? Si për ironi, trajneri, që pak kohë më parë qyteti i Gjirokastrës e shpalli “Njeriun e Vitit” apo Superliga e nderoi si një mjeshtër zanati, të paktën të kishte thënë: “ Mos na e quani atë gol, vlejnë vetëm dy golat e tjerë…”
Gëzim Sinemati
Botuar ne gazeten Panorama Sport