Zhoze Murinjo është mjaft i pakënaqur nga humbja 2-1 që Mançester Junajtidi pësoi nga Hadersfildi modest. Ai vuri në dukje se ekipi i tij nuk ka luajtur aq keq as në ndeshjet përgatitore dhe se janë lojtarët ata që duhet të shpjegojnë se përse luajtën aq keq. “Hadersfildi luajti ashtu sikurse duhej luajtur, ashtu si dua unë. Në lojën e futbollistëve të këtij ekipi kishte gjithçka: agresivitet, dëshirë, motivim dhe sakrificë. Kurse në lojën tonë nuk kishte asgjë. Ai ekip që e meritonte, edhe fitoi, në fund të fundit”, tha Murinjo, ekipi i të cilit, me humbjen që pësoi, e ndërpreu serinë e gjatë të ndeshjeve të pahumbura, ndërkohë që pretendon që të jetë favorit për titullin e kampionit në Premier Ligë.
“Rezultati ishte i papritur, por ja që kështu është futbolli, është i paparashikuar. Unë nuk mbaj mend as edhe ndonjë ndeshje miqësore që ne të kemi luajtur aq dobët. Me të vërtetë, jam shumë i zhgënjyer. Ju mund të humbisni ndaj një kundërshtari që është më cilësor, por të humbisni, sepse kundërshtari e mori lojën më seriozisht sesa neve, kjo nuk lejohet”, tha Murinjo.
Sfidanti.al