Gola të anulluar për Partizanin dhe Tiranën, arbitrat kundër historisë!

Të gjithë kërkojnë të ulin moshën për të jetuar sa më gjatë, ndersa  kur flitet për Panajot Panon, mjeshtrin e e madh të sprintit dhe dirblimit me top, ka nga ata që kanë thënë të pamundurën “ sikur të isha më i madh, të kisha lindur në kohën e Jotit”.  Në kohën e “mbretërimit” të Panos dhe Ali Memës,  ku futbolli dhe pasioni krijonin besimin ose fenë e vërtetë për njerëzit e stadiumit. Aq i fortë ishte pushteti i futbollistit, sa dukej sikur froni ishte mbi bar, madje edhe arbitrat kishin frikë t’i afroheshin me kartonat në dorë. Sipas legjendës që tregohet, paska qënë njëri, pikërisht Ramiz Pregja, i cili guxonte më shumë se të tjerët , duke i treguar shpeshherë xhepin e kartonit.. Panajot Panos.  U kthyem pas në vite, në kohën e Panos me top dhe Ramizit me bilbil, ( qofshin të paharruar) vetëm e vetëm për të bërë krahasimin e pamoralshëm me kohën e sotme.  Për shkak të historisë që kanë krijuar , Partizani dhe Tirana, mund të pagëzohen “mbreterit”, kurse brezi i tanishëm i arbitrave, për shkak të sjelljes  kolektive në fushë,  nuk do të ishte ekzagjerim po t’i quanim “vrasësit e mbretit”.  Sidomos këtë javë, kur dy klubet e lavdisë, u nëpërkëmbën nga arbitra pa nam e nishan, nga ata që duke ditur se çfarë duan  pronaret në FSHF,  nuk kanë frikë t’u anullojnë edhe gola mu në mes të ditës me diell.

Tirana, edhe pse e ka trupin plot me plagë, arbitrat e kanë aq shumë merak, sa duket sikur uniforma me vija është dizenjuar nga “kamzhiku” i bilbilit që fryn keq vitet e fundit.. Edhe me Korabin, në ndeshjen e fundit, si me magji të zezë, i kanë çuar dëm  një gol të kulluar, por bardheblutë kanë frikë të qajnë me zë të lartë. Kur Zoti Halili deklaron se “Tiranën duan të rrënojnë”, mos kujtoni se e ka fjalën vetëm për armikun e brendshëm, atë që  predikon se” Tirana që do të vijë do të jetë lule në krahasim me atë të Rid Halilit”, por shigjeta me helm ngjitet edhe sipër, tek ata që i kanë vënë prangat lojës, dhe vidhat e tyre i shtrëngojnë dhe i lirojnë me anë të arbitrave.  Siç ndodh edhe me Partizanin, që i shfaqet një anësor në Laç  me një flamur që mund të konsiderohej pa frikë  si “armëmbajtje pa leje”.   Jo vetëm i anullon golin , por flamuri i tij tundej e shkundej si me buton, pa lidhje me fushën,  plot lidhje me ..qëndrën e komandimit.  Fundi ishte i bukur për nga hipokrizia, ngaqe Partizani nuk qahej për arbitrin që  e goditi “bythëve” me flamur, sepse u lumturua nga 3 pikët.

Më shumë se një dekadë më parë, t’i nxirrje karton të  pamerituar Panos apo Ali Memës,pale t’u anulloje gol,   nuk gjeje dot burrë në këtë tokë. Tani, në kohën e harbimit demokratik, arbitrat grinden me njëri tjetrin, pa patur pikë droje,  për t’i bërë zap Tiranën dhe Partizanin,  duke u treguar sheshit se golin e shënojnë arbitrat, pastaj vijnë futbollistët.

 

Sfidanti.al