Ndoshta nuk e patën me qejf, por përderisa ishin aq pranë, nuk mund të bënin ndryshe. Arsen Venger dhe Aleksis Sançez i shtrënguan dorën njëri-tjetrit në seancën e fundit stërvitore të Arsenalit, në prag të ndeshjes me Bajernin në Champions. Ky fakt mund të quhet i habitshëm thjesht sepse trajneri dhe sulmuesi janë përditë bashkë më kompleksin stërvitor, ndërsa u takuan sikur kishin kohë pa u parë. Francezi dhe kileni janë në qendër të vëmendjes për shkak të duelit për kontratën e re të Sançezit në “Emirejts”, dhe mediat shkruajnë se sulmuesi e ka vendosur tashmë se do të largohet.
“Aleksis Sançez ka edhe 15 muaj kontratë, ndërsa vendimi nëse do të mbetet apo jo këtu do të merret nga Klubi i Futbollittë Arsenalit, dhe nga askush tjetër, – ishin fjalët e trajnerit, – futbolli është më shumë se një lojtar”. Gjithsesi, pavarësisht këtyre fjalëve aspak miqësore, veterani 67-vjeçar mohoi të ketë konflikt. “Unë nuk shoh ndonjë konflikt këtu, aspak, – tha ai, – është gënjeshtër, por unë e kuptoj se ju duhet të mbushni gazetat”. Më tej, Venger përsëriti se ulja në stol e kilenit në ndeshjen ndaj Liverpulit ishte bërë për arsye taktike.
Trajneri i Arsenalit nuk dha asnjë sqarim nëse Sançez do të ishte apo jo në formacion ndaj Bajernit në përballjen e Ligës së Kampionëve. “Do ta vendos më vonë, – ishin fjalët e tij, – përsa i përket asaj nëse Sançez është i lumtur apo jo, kjo varet sesi e përcakton. Një lojtar është i lumtur kur fiton ndeshjen dhe kur luan mirë, ndaj unë shpresoj që Sançez të jetë i lumtur pas Bajernit”. Arsenali është mundur 1-5 në Gjermani, në ndeshjen e parë.
Sfidanti.al