Gola, shkëlqim, por dhe mbetje pa ekip, kjo Shqipëria në prag të Francës!

Është në pozita më të mira sesa në fund të stinëve të nxehta të kaluara. Shumica e lojtarëve të kombëtares, të thirrur nga Edi Reja për ndeshjet e Europianit, kanë minutazh të mjaftueshëm në këmbë, për t’u quajtur në formën e duhur. Jemi në fillim të shtatorit, por vetëm pak prej tyre janë ose në stol, ose me probleme për vazhdimin e karrierës.

Porta mund të thuhet se është e blinduar, pasi të Etrit Berisha dhe Tomas Strakosha po luajnë në Serinë A, dhe po ashtu Alban Hoxha tek Partizani në Shqipëri. Jo vetëm kaq, por janë dalluar me pritjet e tyre, pavarësisht nga rezultatet e skuadrave, gjë që e lehtëson shumë trajnerin e përfaqësueses.

Në mbrojtje, lajmi më i mirë është që kapiteni Mërgim Mavraj është i stabilizuar, dhe po luan vazhdimisht me Grojter Fyrtin në Bundesligën e dytë. Gjithsesi, minus i madh është mosaktivizimi i Elseid Hysajt tek Napoli, me shqiptarin që mund të ishte larguar, por që mbeti aty.

Lojtarët e tjerë, në përgjithësi kanë luajtur. I tillë Berat Gjimshiti tek Atalanta në Serinë A, Veseli tek Empoli po në elitën italiane. Domethënës aktivizimi i mbrojtësit 19-vjeçar, Marash Kumbulla, gjithnjë në Serinë A, me Veronën, pavarësisht moshës së re, ndërsa Mihaj e Dermaku nuk e kanë pasur këtë mundësi.

Në mesfushë, formë shumë e mirë për Ermir Lenjanin, autor i një tjetër goli në Superligën e Zvicrës. Po në Zvicër, Taulant Xhaka është i palëvizshëm titullar për Bazelin, ndërsa Amir Abrashi nuk po e gjen dot vendin në formacion tek Frajburgu në Bundesligën gjermane. Gjithsesi, në Bundesligë po aktivizohet mesfushori tjetër i kombëtares, Klaus Gjasula, që është pjesë e ekipit të sapongjitur në elitë, Paderbornit.

Ledian Memushaj, që për fat të keq ka pasur shqetësime fizike, ka qenë gjithashtu titullar fiks tek Peskara, Kristi Qose është në formë në Sllovaki, ndërsa Keidi Bare po ashtu ka hapësira në ligën e dytë në Spanjë. Ylber Ramadani po luan vazhdimisht me Veljen në kategorinë e dytë në Danimarkë.

Në sulm, shumica e lojtarëve janë në formë. Odise Roshi herë ka qenë në formacion, herë zëvendësues në Superligën ruse, duke shënuar edhe gol për Ahmatin e Groznit. Myrto Uzuni, po ashtu, ka qenë protagonist edhe me gol në elitën kroate me Lokomotivën e Zagrebit, ndërsa Rej Manaj është i vlerësuar në Spanjë. Bekim Balaj shënoi dy gola të tjerë, fundjavën e kaluar, për Shturmin e Gracit në Austri.

Problemet kryesore të sulmit, që shqetësojnë shumë Rejën, kanë të bëjnë me Armando Sadikun dhe Sokol Cikalleshin. Të dy kanë hasur vështirësi për të gjetur skuadrat e reja, dhe Sadiku, golshënuesi kryesor i kombëtares, nuk u thirr fare për Francën e Islandën, ndërsa Cikalleshi është i grumbulluar, por pa ritmin e duhur për ndeshje.

Sfidanti.al