Gjykata nuk e fal, tani fillon gara e vërtetë e Dukës për mandatin e gjashtë

Sa herë që ka përballë njerëz të sportit, Armand Duka nuk ka rivalë, kështu që edhe tani për herë të gjashtë, Asambleja ishte një mbledhje formale, madje të gjithë pjesmarrësit mezi po prisnin për t’u takuar më pas diku, për ndonjë drekë. Shakohoxha nuk shkoi fare dhe nuk mori asnjë votë, ndërsa Starova ishte një konkurent dashamirës. Megjithatë, kjo është vetëm fasada, pasi nga brenda ka marrë formën e një vullkani që zien dhe kjo “garë” që po zhvillohet jashtë sallës së Asamblesë, nuk duket të jetë e lehtë as për një fitues kronik si Duka.
Dje, Gjykata e Apelit la në fuqi vendimin për pezullimin e presidentit të FSHF-së, i cili njëherësh akuzohet edhe për shpërdorim detyre, gjë që përkthehet, se deri në përfundimin e kalvarit të gjyqeve, Federata Shqiptare e Futbollit nuk funksionon më. Pra vendimet e Asambleve të fundit vështirë se do të regjistrohen në gjykatë dhe është e pamundur që Komiteti i ri Ekzekutiv të mblidhet për të marrë vendime.
Shpresa e fundit e të dëmtuarve është që UEFA dhe FIFA t’i zhbëjnë produktin e tyre, pavarësisht se e kanë reklamuar, sikur në shekullin e fundit ka pësuar një evolim darvinian. Pra po pritet me entuziazëm një dënim nga institucionet ndërkombëtare të futbollit, në formë presioni, gjë që mund të nisë me zhvendosje e finales së Conference League, nga Tirana diku tjetër. Forma të tilla janë aplikuar edhe më parë, por asnjëherë gjykatat nuk kanë pranuar akuza kaq të rënda për drejtuesit e lartë të FSHF-së, aq më shumë që këto të fundit nuk janë organe, të cilave u bëjnë shumë efekt dënimet sportive.

Sfidanti.al