Dështimi në Botëror nuk doli fatal. Joakim Lëv nuk do të shkarkohet nga detyra e tij si trajner i Gjermanisë, i konfirmuar nga Federata Gjermane e Futbollit. Mediat konfirmojnë vendimin e drejtuesve të Federatës, të marrë pas një analize 5-ditore, ndonëse presidenti Rajnhard Grindel e kishte sqaruar pozicionin e tij menjëherë pas humbjes me Korenë e Jugut, që solli edhe eleminimin nga Kupa e Botës.
Skuadra gjermane u kthye në atdhe nën kritika të shumta nga mediat, tifozët dhe specialistët, dhe shumëkush parashikoi një fat të keq për Lëvin, por kjo nuk ndodhi. U përfol edhe për përçarje në ekip, diçka që nuk u konfirmua, ndonëse dyshimet mbeten, por gjithsesi, Botërori tregoi se ish-kampionët e botës kanë nevojë për ndryshim të madh në përbërje.
Trajneri rinovoi kontratën vetëm një muaj para fillimit të turneut në Rusi, dhe tani pritet që të dyja palët ta respektojnë marrëveshjen që vlen deri në vitin 2022. Kjo do të thotë se Lëv do të jetë trajner i Gjermanisë në Europianin e vitit 2020 dhe në Botërorin e vitit 2022 në Katar, gjithnjë nëse nuk ndodh ndonjë ndryshim tjetër deri në atë kohë. Joakim Lëv është trajner i Gjermanisë që nga viti 2006, kur zëvendësoi Jurgen Klinsmanin, dhe në 2014, ai e udhëhoqi skuadrën drejt titullit botëror në Brazil.
Sfidanti.al