Gjashtë pikë në dy transferta… tani sa duhet të kënaqemi me Kombëtaren e Rejas?

Flitet për Kombëtaren, kështu që qoftë edhe për faktin se është një skuadër që na përfaqëson të gjithë, sigurisht që gjithçka kërkon edhe maksimumin e sinqeritetit. Këto ditë luajtëm tri ndeshjet e para kualifikuase dhe fitoret me Andorrën dhe San Marinon u përdorën si alibi, pë të mbyllur gojët “e liga” që kërkonin me ngulm, shumë më tepër futboll nga ky ekip. Trajneri Reja i bezdisur nga kritikat, na tha se kishte arritur në përfundimin, se edhe me Anglinë kemi luajtur mirë, pavarësisht se nuk iu afruan pothuajse asnjëherë portës kundërshtare. Kështu na tregoi në një farë mënyre limitet që kemi, duke u munduar të na bindë, se do të ishte shumë më mirë për ne të vazhdojnë të tregohemi thellësisht inferiorë, që të jemi të qetë me veten. Në fakt, ajo paraqitje me Anglinë ishte një regres i frikshëm dhe nëse ky grup futbolistësh do të vazhdojë të na përfaqësojë në këtë mënyrë, atëherë nuk mund të konsiderohen më ambasadorët tanë më të mirë, sa për të mbajtur pasaporta diplomatike. Ndoshta mund të vazhdohet të thuhet se nuk ka më ndeshje të lehta, madje gjenden edhe shembuj, por që ka skuadra profesioniste dhe amatore, këtë nuk e ndryshon asgjë… dhe ne nuk mund të kënaqemi më shumë se kaq për 6 pikët e fituara.

Ndërkohë që skuadra e Rejas ende nuk ka gjetur stabilitet në formacion, as përpara dhe as tani pas pushimit të gjatë të pandemisë. Nga ndeshja në ndeshje skuadra e parë ndryshon me gati 50%, ndërsa loja nuk ndryshon ngjyrë, por gjithmonë mbetet një gri e errët. Uzuni nuk gjen një vend stabël, pasi sipas trajnerin duhen provuar edhe të tjerë, duke të krijuar përshtypjen se forma e treguar me klubet nuk është më standart për një uniformë titullare. Roshi apo ndonjë tjetër e kanë të detyruar pankinën, jo për hir të formës, apo talentit, por sepse nuk mund të jenë në fushë për shkak të skemës së palëvizëshme të trajnerit Italian. Kështu që Kombëtarja jonë luajti me po aq futbollistë mbrojtës, si kundër Anglisë edhe ndaj San Marinos, me ndryshimin e vetëm se kundër Tre Luanëve nuk e kalonim dot mesin e fushës, ndërsa në principatën afër Bolonjës tentuam të sulmonim me ata që nuk e kanë specialitet një gjë të tillë dhe kështu që treçereku i lojës tonë ishte një rrëmujë e mërzitshme. Por në fund të tre ndeshjeve të luajtura kemi marrë 6 pikë, madje të gjitha në transfertë dhe këta na nxisin të tregohemi të kënaqur, se në fund të fundit jemi vetëm Shqipëria.