Gara e paqenë e Superligës dhe Europa që nuk na pret!

Sot luhen ndeshjet e fundit të këtij sezoni në Superligë dhe përmbledhin më së miri frymën e gjithë garës. Që do të thotë se shpesh nuk ka garë. Flamurtari, teorikisht, duhet të respektojë kampionatin duke luajtur fort ndaj Tiranës, ndërsa praktikisht nuk ka asnjë interes, pasi edhe në fitoftë, nuk do të lejohet të marrë pjesë në Ligën e Europës, pasi nuk është licencuar nga Federata.

Skënderbeu-Kamza nuk luhet sepse kjo e fundit ka 3 muaj e përjashtuar, me lojtarët që vazhdojnë “të hanë fara luledielli”. Kukësi duhet të luftojë ndaj Kastriotit, sërish për të nderuar kampionatin, sepse me përjashtimin nga Europa të Flamurtarit, nuk i rrezikohet pjesëmarrja në kupat kontinentale. Luftëtari-Partizani po ashtu duhet të jetë një ndeshje për të kënaqur publikun, nëse ky i fundit do të jetë në stadium. Pra, nëse flasim për garë, mbetet në moralin e palëve, pasi çështje interesi thuajse nuk ekzistojnë.

Përsa i përket licencimeve, UEFA nuk deshi të priste as KAS-in e Lozanës, dhe as qeverinë e Tiranës. Duke bërë numërimin mbrapsht, nuk kanë përfunduar 100 ditët e dhëna si afat nga kryeministri Rama për FSHF-së, që të arrihet marrëveshja e madhe mes shtetit dhe klubeve, për borxhet në tatime e gjëra të tjera. Shpresojmë, për më mirë sezonin tjetër!

Sfidanti.al