Reali e do pas Ramosit, por ku i thotë zemra De Ligtit që të shkojë?!

Edhe pse mbrojtës, është ndër lojtarët më të kërkuar të verës. Matijs De Ligt me siguri të plotë do të largohet nga Ajaksi, por destinacioni i ardhshëm vështirë të thuhet lehtë. Fillimisht, gjithkush ishte gati të deklaronte “Barcelona”, pasi De Ligti është holandez, pasardhës i Krujfit, Neskensit e Kumanit, dhe po ashtu e kishte shprehur vetë dëshirën e tij. Në “Kamp Nou” do të transferohet shoku i tij i ekipit, Frank De Jong, dhe kjo e bënte më bindëse lëvizjen e De Ligtit.

Gjithsesi, Barça duket se ka probleme financiare, sidomos me agjentin e kapitenit të Ajaksit, Mino Raiolën. Ky i fundit do të bëjë kërkesa tepër të larta, të cilat katalanasit nuk janë gati t’i plotësojnë, por janë dy klube të tjerë që mund të thonë “po”, Mançester Junajtidi dhe Reali. Madridi e dëshiron De Ligtin si zëvendësues të Sergio Ramosit që pritet të largohet, pra për ta vënë në krah të Rafael Varanit. Vlera e kartonit për Ajaksin shkon nga 80 deri në 100 milionë euro, por çështja kryesore këtu është: Ku i thotë zemra De Ligtit, që të shkojë?!

Sfidanti.al