Futbolli shqiptar i përgjuar nga dy drone, i keqi dhe i miri!

A e dini se mbi kokën e futbollit shqiptar, qyshkur është dënuar nga Europa kampionia Skënderbeu, qëndron një dron që gjurmon  amalgamën e lojës sonë, ku e vërteta dhe gënjeshtra binjakezohen si vellezerit siameze..  Sikur të na ndiqnin vetëm 90 minutat e kohës së  një ndeshjeje, do të ishte lajm i mirë, por, pasi  kemi shpërdoruar besimin e tyre, na spiunojnë edhe kur flasim. Po, po, jashtë stadiumi, madje deri në zyrat ku gatuhet çorba.  Kështu, nëse do të kishim dy pare mend, edhe kur debatojmë në studio apo në mjedise që kontrollohen nga “syri në qiell” i montuar UEFA, kemi arsye të ndryshojmë edhe stilin e komunikimit. Të mos trukojmë edhe bisedat. A e bëjmë dot? Nuk ka siguri, ngaqë kur debati e perdhos arsyen, jemi gati të heqim edhe mbathjet, pa u merakosur se topi  nuk të çon vetëm në fushë, por edhe buzë greminës.Ndaj, mund te kemi dhënë një “asist” disa ditë më parë, kur presidenti Takaj dhe Gjici,  zbuluan publikisht se  deri ku kishin shkuar në flirtin me arbitrat. Mu në sytë e gazetarëve, mu në mes të një sallë tërë dritë,sy dhe veshë, presidentët ndezën garën  e rrezikshme, për të shpallur se cili ishte “dashnori”  më pasionant në krevatin e arbitrave.

Por,  sipas stilit shqiptar,  ku sekretet nuk mbahen dot ngaqë të bëhen mishi gungë, edhe presidenti i madh, Duka, në intervistën  më të freskët të fundvitit, as nuk ka pyetur për “syrin në qiell”, një verpër e miqvet të tij të UEFA-s. Fjalët e “mbretit”  janë përgjuar pastër edhe nga populli , lëre pastaj ç‘mund të thonë ata: “ Skënderbeu humbi me Partizanin se presidenti Takaj guxoi të merrej me arbitrat pas ndeshjes me Kukësin”.  Nuk ka ku të shkojë më shkoqur, morali është i qartë dhe i ..pamoralshëm.  Nëse do që t’i kënaqesh lojës në “big-brother”  e futbollit shqiptar, e para punë që duhet t’i imponosh vetes është qepja e gojës. Një rregull që askush nuk e di më mirë se Takaj, të paktën në këto vitet e fundit të despotizmit korçar. Mirëpo loja është kaq provokuese dhe me kaq të prapritura, sa edhe ‘të bindurit e verbër” e humbasin për një moment vetkontrollin si në rastin e Takajt kur tha: “ Arbitri Jemini është usta, një i korruptuar”. Kjo frazë, për fat të keq, është përgjuar nga droni i FSHF-së  dhe jo nga ai i UEFA-s. Kur ka dëgjuar fjalët e tij, presidenti Duka paska thënë: “ Aktorët e talentuar ofrojnë vetëm bindje dhe nënshtrim, në lojën tonë nuk ka rebelim…”

G.Sinemati