Protesta origjinale e Leiçesterit për Vardin, 30 000 maska në stadium!

Mendja e njeriut, apo e njerëzve në përgjithësi, është e zonja të shpikë shumë mënyra për të shprehur diçka, por ajo që i shkoi në tru drejtuesve të Leiçesterit është ndër më të veçantat. Klubi vendosi të protestonte për pezullimin e sulmuesit kryesor, Xhemi Vardi, duke prodhuar 30 000 maska me fytyrën e tij. Këto maska u vendosën në ulëset e stadiumit përpara ndeshjes së kampionatit ndaj Evertonit, ndërsa Leiçesteri e quajti tepër të ekzagjeruar dënimin prej 4 ndeshjesh. Vardi u përjashtua me karton të kuq në ndeshjen kundër Stouk Sitit, pasi ndërhyri me të dyja këmbët ndaj Mame Biram Diufit, ndërsa Federata e dënoi dhe pastaj i hodhi poshtë apelimin. Edhe presidenti i klubit, Greg Klark, u pa i veshur me maskë në stadium në fillim të takimit me Evertonin, që u humb 0-2, duke e vënë sërish në pozitë të vështirë ekipin kampion të trajnerit Klaudio Ranieri. Mungesa e Vardit, me siguri, luajti një rol jo të vogël në këtë humbje.